BDI me akuza të reja ndaj Taravarit


Nga mjediset e Komunës së Gostivarit, që më së paku duhet të jetë e politizuar, krerët e subjektit politik, Aleanca për Shqiptarët, shfrytëzuan nga rasti të bëjnë deklarata politike dhe kryekëputë demagogjike.
Si në çdo prononcim tjetër publik, edhe këtë herë Arben Taravari shfrytëzoi mundësinë për t’u shitur në opinion si i pafajshëm duke kërkuar fajin në adresë të gabuar dhe duke vazhduar me deklarimet e tij tashmë të njohura manipulative, ka reaguar dega e BDI-së në Gostivar.

Duke u nisur nga fakti që Ziadin Sela u vu në mbrojtje të bashkëpartiakut të tij, Arben Taravari, opinioni por edhe vetë ai, ka të drejtë të dijë se çka në të vërtetë është duke ndodhur në Komunën e Gostivarit. A është në dijeni z.Ziadin Sela që Gostivari po udhëhiqet nga një person i cili është duke ushtruar pushtetin si në kohën e sistemit monist? A ka njohuri z. Ziadin Sela që Arben Taravari vazhdon të mos njeh si organ legjitim kryesuesin e Këshillit Komunal i zgjedhur në mënyrë demokratike, z. Nasir Musliu ? A ka njohuri z. Ziadin Sela që në kohën kur duhej të miratohej buxheti i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari merrej me obstruksione mbi Këshillin e Komunës së Gostivarit, duke mos respektuar vullentin e qytetarëve? A është në dijeni z. Ziadin Sela që Kryesuesi legjitim i Këshillit të Komunës së Gostivarit, z. Nasir Musliu ende nuk i është caktuar një zyrë nga ku do të ushtronte detyrën e tij në kushte dhe rrethana normale? A ka njohuri z. Ziadin Sela që Inspektorati i Arsimit ka sjellur vendim me të cilin kthehen në detyrë drejtorët e shkollave që u shkarkuan jashtë ligjit nga Kryetari i Komunës, Arben Taravari?

A është në dijeni z. Ziadin Sela që mbi 70 aktivistë partiakë janë punësuar pa asnjë procedurë ligjore dhe pa nevojë po marrin rroga nga taksat dhe tatimet e qytetarëve të Gostivarit?

A është në dijeni z. Ziadin Sela që në kohën kur duhej të miratohej buxheti i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari merrej me përpilimin e akt-vendimeve për të poshtëruar administratorët komunalë dhe për të shkarkuar drejtorët e shkollave jashtë çdo norme ligjore? A ka njohuri z. Ziadin Sela që administratorët e Komunës së Gostivarit me mbi 10 vite përvojë pune janë internuar si në periudhën e diktaturës, dhe punojnë në kushte ekstrem sikur të ishin në burg dhe jo në punë?

A është në dijeni z. Ziadin Sela që Arben Taravari bënë nepotizëm në Komunën e Gostivarit duke punësuar dhe emëruar në poste drejtuese njerëz të afërt, siç është rasti me dhëndrin e tij, apo kunatin në Njësitin e Zjarrfikësve? A ka njohuri z. Ziadin Sela që edhe për ato pak punë që kryhen në Komunën e Gostivarit, derdhen mjete financiare që nuk mund të justifikohen me asgjë?

A është në dijeni z. Ziadin Sela që Arben Taravari për më pak se 100 metra kanalizim atmosferik të ndërtuar në lagjen Lajthia, thotë që ka kushtuar 2.5 milion denarë? A ka njohuri z. Ziadin Sela që në buxhetin e ashtuquajtur të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari parasheh shpenzime joproduktive siç është blerja e veturave dhe mobileve?

A është në dijeni z. Ziadin Sela që Arben Taravari në buxhetin e ashtuquajtur të Komunës së Gostivarit, ka paraparë për veten e tij mbi 20 mijë euro paga pa llogaritur sigurimin shëndetësor dhe pensional?

Është mirë z. Ziadin Sela të informohesh më mirë se si kuadri i partisë tënde sot po udhëheq me Komunën e Gostivarit. Se si komunës së Gostivarit po rikthehet regjimi si në kohën e sistemit monist. Se si, Arben Taravari në shekullin 21 po instalon dhunë institucionale duke bërë diferencime politike dhe duke ushtruar diktaturë, kanë theksuar nga dega e BDI-së në Gostivar./Gazeta Express/
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-maqedonia/bdi-me-akuza-te-reja-ndaj-taravari-482599/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright