BDI- Gostivar: Taravari sërish mashtron


Dega e BDI- Gostivar, përmes një kumtese ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhënë për TV Globi.

I tmerruar, nga denoncimi i veprimeve joligjore gjatë realizimit të procedurave për furnizimet publike në komunën e Gostivarit, gjithnjë sipas kumtesës së degës së BDI- Gostivar, Taravari “sërish shërbehet me deklarata të pabaza me qëllim për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik”.

“BDI, dega në Gostivar më datë 27 korrik denoncoi që  në konkursin me numër rendor: 24-1007/2, data: 15.05.2018 për përzgjedhjen e projektit ideror për ndërtimin e “Aqua” Parkut të shpallur nga komuna e Gostivarit, konstatohet që kompania projektuese ka përgatitur projektin para se të shpallej konkursi nga komuna e Gostivarit.

Përsërisim që në projektin ideor të kompanisë e cila fitoi furnizimin publik, shihet qartë fotografitë e bëra gjatë stinës së dimrit nga vendi ku është paraparë me plan detal është planifikuar Sport dhe rekreacion. Nga ky fakt, konstatojmë që fotografitë nga lokacioni i paraparë në planin detal janë realizuar në periudhën dimrore, kurse Taravari furnizimin publik e ka shpallur me datë 15.05.2018, gjë që dëshmon që procedura e tenderimit është bërë formalisht dhe firma fituese ka qenë e paracaktuar.

Kurse Taravari në reagimin e tij flet për procedurë tjetër, respektivisht tender për fillimin e punimeve për ndërtimin e “Aqua Parkut”.

Nëse ka argumente, Taravari duhet të përgjegjet se si është e mundur që kompania fituese e ka ditur se do të hapet konkursi dhe disa muaj përpara ka dalur në terren për të fotografuar hapësirën e planifikuar për ndërtim. Kjo dëshmohet me fotografitë e paraqitura në projektin ideor.

Në denoncim, u paraqitën fakte dhe argumente, dhe nuk ishte një deklarim i stilit të Taravarit, me muhabete, rrena, demagogji dhe vajtime. Shpalosëm fakte për montimin e tenderit për planin ideor, kurse nuk u potencua asgjë për realizimin e punëve.

Duke devijuar çështjen, opinioni me të drejtë e kupton që duke u gjendur përpara një akti të kryer tenton që të mbulon gjurmët e krimit dhe të defokusojë opinionin publik, ashtu siç e bënë çdoherë”, thuhet në reagimin e degës së BDI- Gostivar.