BDI- Gostivar: Kujtojmë Taravarin që 1 prilli zgjat vetëm 24 orë, jo 365 ditë


Dega e BDI-së në Gostivar, përmes një kumtese ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Gostivarit, Arben Taravari i cili gjatë vizitës në fshatin Llakavicë deklaroi që në mandatin 2013 – 2017 në këtë fshat nuk është investuar aspak.

“Edhe pas miratimit të buxhetit komunal, kryetari i komunës së Gostivarit vazhdon fushatën e fjalëve dhe shpifjeve duke mos realizuar ende asnjë projekt në terren. Me avazin e vjetër vazhdoi edhe gjatë vizitës në fshatin Llakavicë, ku edhe njëherë vazhdoi të mashtron opinionin publik kur tha që në periudhën 2013 – 2017 në këtë fshat nuk është kryer asnjë investim”, thuhet në reagim.

Në kuptim të faktit që në këtë periudhë, zotëria nuk ka jetuar në Gostivar, kjo deklaratë e shpifur mund edhe të arsyetohet si pasojë e mungesës së informacionit, por të gjendesh në vendngjarje dhe të mos shohësh investimet e realizuara gjithandej fshatit, kjo gjendje mund të kualifikohet me termin “daltonizëm politik”, thonë më tej nga dega e BDI-së në Gostivar.

“Kujtojmë Taravarin që data 1 prill zgjat vetëm 24 orë, dhe jo 365 ditë. Sa për kujtesë, e vëmë në dijeni atë që në periudhën 2013 – 2017 në fshatin Llakavicë u realizuan mbi dhjetë projekte, aq projekte sa zotëria as për së afërmi nuk ka mundur të realizon për gjashtë muaj qeverisje në të gjithë territorin e komunës së Gostivarit”, vijon kumtesa nga ku numërohen investimet e kryera në mandatin e Nevzat Bejtës në këtë fshat, transmeton Flaka.

Ata kanë numër edhe projektet tjera në mandatin e Bejtës:

Në mandatin e kaluar katërvjeçarë, u ndërtua muri mbrojtës nga hyrja dhe deri në qendër të fshatit në gjatësi prej 213 metrave.

U bë pajisja e shkollës së fshatit me banka dhe ulëse të reja, u siguruan kompjuterë për nevojat e shkollës, u bë lyerja e hapësirave të shkollës dhe u vendos ndriçimi publik në terrenin sportiv.

U bë zgjerimi i urës kryesore të fshatit, si dhe u bë shtrimi i shumë rrugicave me pllaka begatoni, në sipërfaqe të përgjithshme mbi 3000 m2. Ndërkohë u bë nivelizimi dhe tamponimi i më tepër rrugicave në brendi të fshatit.

U bë vendosja e gypave në rrugën kryesore Llakavicë – Turçan i madh, me çka u bë e mundur që  ujërat atmosferike të futen në rrjetin e kanalizimit. U siguruan pajisje për rrjetin e ujësjellësit të fshatit. Po ashtu, u vendos ndriçim publik në fshat, dhe permanent u bë mirëmbajtja e rrjetit në mënyrë  të rregullt. Dhe mbi të gjitha, u bë riasfalltimi i rrugës kryesore prej Turçanit të madh në drejtim të fshatit Llakavicë, në gjatësi  prej 1900 metrave, si dhe  rregullimi i bankinave përskaj rrugës. Janë këto projekte që banorët e Llakavicës i shfrytëzojnë për çdo ditë dhe askush nuk mund t’i anashkalon.

“Kryetari i komunës, bënë mirë të fillon të punon dhe të mos merret me mashtrime, sepse, opinioni publik tashmë e ka të qartë që në mungesë të punëve, zotëria tenton të kamuflon situata të pavërteta. Me fjalë boshe dhe vizita jo produktive, asgjë nuk shkon në interes të qytetarëve të Gostivarit, thuhet në kumtesë.