Aziri: Më torturuan një javë që të them se Alili me shokët e ka bërë vrasjen në Smillkovë


I akuzuari Haki Aziri po ia rrëfen gjykatës ditët që i quajti të kobshme kur e kanë torturuar deri në pa vetëdije për një javë me radhë, vetëm që të pohojë se Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviç e kanë bërë vrasjen në Liqenin e Smillkovës. Aziri tha se ato ditë kishte humbur ndjenjën për kohë, pasi e mbanin vetëm në hapësira të mbyllura dhe të errëta, por qëllimi ishte që atë ta detyronin të nënshkruajë miratim se do të bëhet dëshmitar i mbrojtur.

“Më thonin se ta kemi arrestuar gjithë familjen. Nënën, babain, gruan, vëllaun, të gjithë. Dhe më thanë se asnjë nuk do të mbetet i gjallë nëse nuk e nënshkruaj deklaratën. Më ofruan edhe para dhe strehim në Holandë, por un pranova vetëm ta jap deklaratën tek gjykatësi hetues dhe u thash se dua të më dërgojnë në burg. Më patën lidhur për karrike në një ndërtesë se di a ishte MPB ose DSK. Pastaj më patën dërguar në një vend malor në Koçani. Më kërcënuan që të mos kërkoj as avokat, e të mos flas me askënd për torturën pasi thanë se të gjithë janë njerëzit e tyre”

Hakiu shpjegoi se Alilin e ka kusheri, Afrimin e ka njohur prej vitit 2009, nëpërmjet Alilit. Por e ka njohur edhe Samiun./SHENJA/