Autostrada Shkup- Bllacë, punimet fillojnë vitin e ardhshëm


Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot priti ministrin e Inovacionit dhe Sipërmarrjes të Republikës së Kosovës, Besim Beqaj. Në takim, dy ministrat diskutuan rreth bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimit tregtar dhe investues, si dhe prezantuan ide dhe propozime që do të kontribuonin në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, në të mirën e komunitetit të biznesit nga të dy vendet.

“Kolegut Beqaj, i cili kryeson resorin e inovacionit dhe sipërmarrjes, i prezantova masat e planit për rritje ekonomike të qeverisë sonë, e cila përcakton prioritetet kryesore të politikave për periudhën e ardhshme dhe që pritet të rrisin investimet private, krijimin e vendeve të punës, rritjen e efikasitetit, produktivitetit dhe konkurrencës së sektorit privat, rritjen e eksporteve dhe bashkëpunimit ekonomik rajonal, si dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Lidhur me bashkëpunimin me Kosovën, me masat e Planit për rritje ekonomike presim efekt sidomos në fushën e investimeve dhe të bashkëpunimit rajonal që do të jetë i dobishëm për të dy vendet”, tha ministri Bekteshi pas takimit.

Lidhur me çështjet e interesit të ndërsjellë për dy vendet, Bekteshi informoi homologun e tij kosovar për projektin për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, për të cilën në seancën e fundit të qeverisë u prezantua dhe u miratua Plani aksional me kohëzgjatje për realizim dhe sipas parashikimeve aktivitetet e këtij seksioni 12 kilometërsh do të fillojnë në vitin 2019-të dhe të finalizohen deri në fund të vitit 2022. Bekteshi shtoi se shkëmbimi tregëtar me Kosovën, u rrit me 11.4 % vitin e kaluar dhe këtë vit është 6% më i lartë, krahasuar me vitin 2016-të.

Ministri i Inovacionit dhe Sipërmarrjes së Republikës së Kosovës, Besim Beqaj tha se marrëdhëniet ekonomike me Maqedoninë janë të shkëlqyeshme dhe përshëndeti vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për të përcaktuar kohëzgjatjen e ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë. Sipas tij, ndërtimi i autostradës nga Prishtina në Bllacë nga ana e Kosovës, dhe nga Bllaca në Shkup nga ana e Maqedonisë, do të kontribuojë në rritjen e shkëmbimit tregtar dhe të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve.

“Kosova dhe Maqedonia janë dy ekonomi të vogla dhe me një bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve dhe midis komuniteteve të biznesit, ata mund të konkurrojnë në tregun botëror, i cili është duke ndryshuar dhe shkon drejt digjitalizimit të plotë. Për këto arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Ministrinë e Inovacionit dhe Sipërmarrjes, me qëllim që t’u sigurojë të rinjve kushte të favorshme për drejtimin e bizneseve me mentalitet të ri ekonomik sipas tendencave botërore, të ndryshme nga sistemi klasik për menaxhimin e ekonomisë”, tha Beqaj.

Në fushën e aktiviteteve të përbashkëta, Maqedonia dhe Kosova pritet të mbajnë seancën e katërt të Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik në tremujorin e parë të këtij viti, ndërsa në procedurë e sipër është Memorandumi i Bashkëpunimit për Kontrollin e Mallrave Strategjike, i cili pas finalizimit nga dy palët, do të nënshkruhen nga ministrat resorë.