Athinë, Osmani: Kemi përgjegjësi të mos e lëshojmë mundësinë


2018-ta është vit historik për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe ne kemi përgjegjësi që mos të lëshojmë këtë mundësi. Ky ishte mesazhi që zv/Kryeministri Bujar Osmani përcolli në takimin me shefin e diplomacisë greke Nikos Kocijas. Osmani tha se në Maqedoni ka vullnet të mirë për zgjidhjen e kontestit.

Viti 2018 paraqet mundësi historike për tejkalimin e mosmarrëveshjeve rreth përdorimit të emrit të vendit tonë. Dhe si politikanë të cilët kemi marrë besimin për t’u prirë qytetarëve tanë, kemi për obligim të tregojmë pjekuri dhe seriozitet dhe mos ta lëshojmë këtë mundësi. Në Maqedoni ekziston optimizëm i shprehur qartë për mbylljen e kësaj çështjeje. Shpresoj se së bashku me sinjalet pozitive të cilat vijnë nga ana e Greqisë, kjo çështje do të tejkalohet – deklaroi Bujar Osmani, zv/Kryeministri për Çështje Evropiane.

Në intervistën e mbrëmshme për median greke, Antena Tv, shefi i diplomacisë Kocijas në detaje foli për pozitën e Greqisë rreth çështjes së emrit. Duke iu referuar përvojës së mëparshme të vitit 1995, Kocijas tha se nëse tani do të arrihet marrëveshje dypalëshe midis negociatorëve, çështja e emrit do të rrumbullakësohet, duke hedhur poshtë nevojën për referendum. Ai tha se referendumet në Athinë e Shkup do ta dëmtonin marrëveshjen që pritet të arrihet.

Marrëveshja e përkohshme e vitit 1995 solli emrin e përbërë në të cilin është kyçur termi “Maqedonia”, respektivisht Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, ku sipas meje është bërë gabim I madh. “Ish Jugosllave” të hyjë para termit “Republikë”, respektivisht para rregullimit shtetëror dhe jo të gjendet fjalë tjetër para termit “Maqedoni”. Ky emër ishte pranuar nga shumica pa referendum dhe pa kaluar aspak në Kuvend – tha Nikos Kocijas, Shef i diplomacisë greke.

Kocijas madje tha se Athina është për një emër të përbërë I cili do të ketë përdorim të përgjithshëm. Ai nuk zbuloi detaje të tjera, por tha se Athina tashmë ka propozimin e vetë dhe se për të njëjtën do t’i njoftojnë autoritetet e Shkupit gjatë negociatave. Ky propozim mund të ketë përcaktues gjeografik, por jo domosdoshmërisht. Duke komentuar propozimet që së fundmi u publikuan në media, Kocijas ka thënë se Athina tashmë është përcaktuar për një propozim dhe të njëjtin do ta shpalosë në negociatat e radhës të cilët janë caktuar për më 17 janar në Nju Jork. Ndër propozimet në tavolinë mbetet edhe “Maqedonia e Re”. Kocijas tha se propozimi “Sllavo Maqedonia” është hedhur poshtë për shkak se i njëjti nuk do të ishte i pranueshëm për shqiptarët. Shefi i diplomacisë greke përkujtoi edhe një herë se pa zgjidhjen e emrit vendi fqinj nuk do të mund të integrohet në strukturat euro-atlantike.