Athinë: Cipras në përkrahje të referendumit


Kryeministri grek, Aleksis Cipras në Panairin Ndërkombëtar në Selanik gjatë fjalimit të tij ka folur për referendumin e 30 shtatorit që do të mbahet në Maqedoni. Ai i ka dërguar përkrahje homologut të tij Zaev që referendumi  të jetë i suksesshëm.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras, një ditë pas protestave të dhunshme, theksoi se referendumi në Maqedoni do të ketë sukses, ai shprehet i bindur se Marrëveshja do të ratifikohet me sukses në Kuvendin e Greqisë.

“Më 30 shtator ka referendum në Shkup. Dëshiroj dhe shpresoj se miku im Zoran Zaev do ta fitojë. Më pas kemi proces të rëndë, procesi i ndryshimeve kushtetuese, i cili do të finalizohet në mes të janarit, ai proces është i rëndë pasi që kërkon dy të tretat në Kuvend, ndërkaq më pas gjithsesi e kemi procesin me protokollin për integrim, proceset burokratike në NATO”, tha Cipras.

Cipras para gazetarëve e hodhi poshtë mundësinë për shpalljen e referendumit në Greqi, për Marrëveshjen e Prespës.

Ndërkaq, Athina zyrtare i ka dërguar notë proteste SHBA-së për deklaratën e ndihmës sekretarit shtetëror, Ves Miçel, në lidhje me emrin e IRJM-së, kështu shkruan gazeta greke “Dokumento” duke zbuluar se Athina zyrtare, muajin e kaluar ka reaguar për fjalimin e Miçelit në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit të Amerikës.

“Në Ballkan, diplomacia amerikane ka luajtur rol në zgjidhjen e kontestit për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë”, është pjesa kontestuese e fjalimit të Miçel më 21 gusht, për çka ka reaguar MPJ-ja greke. “Dokumento” shkruan se reagimi nga Greqia ka qenë i shpejtë, ndërkaq Miçel i ka kërkuar falje Kociasit. /Art Channel/