Athina: Ka ende shumë punë për emrin


Palët kanë deklaruar vullnet për zgjidhjen e kontestit dhe ka pika në të cilat ka përafrim, megjithatë ka akoma çështje për të cilat palët kundërshtojnë. Kështu është shprehur zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakpulos për një radio greke, duke folur për procesin e negociatave për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Canakopulos tha se shpreson që ky kontest të zgjidhet sa më shpejtë. Ai theksoi se takimet në Shkup kanë kaluar në klimë të mirë, por ka akoma rrugë të gjatë për t’u kaluar dhe duhet shumë punë për arritjen e marrëveshjes.

DIMITRIS CANAKOPULOS, ZËDHËNËS I QEVERISË GREKE

“Vullneti politik është deklaruar nga të dyja palët. Megjithatë, akoma ekzistojnë çështje teknike, çështje juridike dhe çështje të kundërshtimit real të qëndrimeve për një sërë çështjesh. E dini se Qeveria e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë parashtron disa çështje në lidhje me rishikimin kushtetues, ne nga ana jonë insistojmë në rishikim të Kushtetutës në lidhje me emrin e fqinj, sepse ajo është e nevojshme që të vlejë kushti erga omnes. Në këtë kornizë vazhdojnë negociatat dhe shpresoj që sa më shpejtë të jetë e mundur të arrijmë një zgjidhje të pranueshme për të të dyja palët, në kornizën që disa herë është përshkruar nga qeveria greke”.

Me një qëndrim të ngjajshëm ka dalë edhe zëvendësministri, Janis Amanatidis, sipas të cilit për çështje të caktuara ka përafrim ndërsa, për të tjera akoma negociohet. Ai tha se është pozitive që ka vullnet politik.

JANIS AMANATIDIS, ZËVENDËSMINISTËR GREK

“Ekzistojnë çështje për të cilat ka përafrim, madje edhe marrëveshje, por ekzistojnë edhe çështje për të cilat po negociohet. Për këtë, në këtë periudhë do të bëhet vlerësim i negociatave që i ka udhëhequr ministri i Punëve të Jashtme, Kocijas dhe do të kemi një takim tjetër më 30 mars në Vjenë me prezencë të Nimicit”.

Nga ana tjetë, Grekët e Pavarura nuk lëshojnë pe nga qëndrimi i tyre për mospërdorimin e termit “Maqedoni”. Zëdhënësja e kësaj partie, Madalena Papadopulu deklaroi për televizion grek Sky se nuk pajtohen me cilin do emër që do të përmbaj termin “Maqedoni”, duke thënë se ky qëndrim është i qartë dhe nuk ndryshohet. /SHENJA/