ASHMAA e dënoi sjelljen e Bojan Jovanovskit ndaj gazetares Meri Jordanovska


Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele e dënoi sjelljen e djalit të pronarit të “1TV” Bojan Jovanovski i cili verbalisht e ka kërcënuar gazetaren e agjencisë “Makfaks” Meri Jordanovska për shkak kritikave të saj publike për emisionin “Makedonski insajder”.

“Çdo lloj presioni apo kërcënimi nga ana e personave në pozita menaxhuese apo të afërt me ato ndaj gazetarëve, paraqet rrezikim dhe shkelje të lirive të shprehjes dhe informimit. Dukuritë e tilla negativisht pasqyrohen në lirinë dhe pavarësinë e mediave, çojnë drejtë paraqitjes së autocensurës dhe kontribuojnë negativisht në zhvillimin demokratik të shoqërisë”, theksojnë nga Agjencia.

Prej atje thonë se në pajtim me Ligjin për media, gazetari ka të drejtë të shfaqë mendimin dhe qëndrimin e tij në pajtim me rregullat profesionale të gazetarisë, ndërsa nga ana tjetër Ligji për shërbime mediatike audio-audiovizuele i obligon transmetuesit gjatë ushtrimit të veprimtarisë ta respektojnë pavarësinë dhe përgjegjësinë e redaktorëve, gazetarëve dhe autorëve tjerë gjatë përgatitjes së programeve dhe krijimin e politikave redaktuese.