Arti kompleks i kërkimfaljes në Japoni


Ishte ora një e natës në Tokio dhe ne po mundoheshim të hynim në një banesë me një palë çelësa të vjedhur. Nuk kishim haber ku ndodheshim, derisa po mundoheshim ta gjenim vendin që e kishim paguar përmes Airbnb-së.

Shumë shpejt u gjetëm para një dere që dukej të ishte 90 për qind e duhura, por nata i komplikonte gjërat, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. I gjetëm çelësat në kutinë e letrës, ku nikoqiri ynë kishte thënë se do të na i linte. Prandaj kur nuk funksionoi kodi i sigurisë, unë nisa që të mundohesha ta hapja derën me çelës. Ishte e kotë.

Në këtë pikë mund të mendoni se ne u ndalëm pak, por përpara na shtynte ajo farë vendosmëria që të vjen pas një fluturimi 12-orësh, përcjellë nga pelegrinazhi nëpër trena japonezë.

Derisa po vazhdonim të rrotullonim çelësat, dera u hap dhe përpara na doli një zonjë me rroba të natës dhe e bija e saj, duke na shikuar me habi. Doli se ia kishim huq adresën.

Çuditërisht, në vend që të na bërtisnin, ta thërrisnin policinë, apo edhe të dyja, gjatë njëzet minutave në vijim ato u munduan të na ndihmonim për ta gjetur adresën e duhur. E tërë kjo ndodhi teksa ne nuk e flisnim as edhe një fjalë japonisht dhe ato as edhe një fjalë anglisht.