Arsimi dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, Memeti: kemi vetëm përpjekje, por jo inluzivitet


Edhe pse Maqedonia ka ratifikuar 6 vite më parë konventën për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, gjërat në praktikë nuk kanë lëvizur pothuajse fare.
Në prag të 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Avokati i Popullit bëri publike raportin nga hulumtimi për inkluzivitet të fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta në arsimin e mesëm.

Memeti u ankua se përditshmëria e personave me aftësi të kufizuara është përplot me pengesa.
“Arsimi, siç është për momentin, është me më shumë përpjekje për integrim sesa inkluzion të fëmijëve me aftësi të kufizuara, ndërsa ligjet të cilat e rregullojnë këtë materie, aftësinë e kufizuar nuk e identifikojnë si bazë për diskriminim. Mungojnë shkolla të përshtatura dhe të pajisura në mënyrë adekuate me resurset e nevojshme për realizimin e të drejtës së fëmijëve me aftësi të kufizuar në arsimin e rregullt”,- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.

Nga Ministria e Arsimit thonë se është formuar një grup pune me përfaqësues të institucionit Avokati i Popullit, ekspertë, OJQ-ve dhe familjarë të fëmijëve me pengesa, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje ligjore për problemin, madje për këtë qëllim janë paraparë edhe mjete financiare në buxhetin e vitit 2018.

“Si rezultat i asaj pune, çështjet me të cilat është marrë ky grup, në fillim të vitit të ardhshëm do të dërgohen për procedim në Parlament për të iniciuar ndryshim të Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm”,- tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskovska.

Përfaqësuesit e UNICEF-it në Maqedoni kërkojnë shtim të përpjekjeve që të mos ketë dallime mes fëmijëve.

“Shkollimi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, nuk duhet të ketë dallime dhe ndarje mes personave, nuk duhet të ketë dallime se si duken ata ku jetojnë apo çfarë nacionaliteti janë”,- theksoi përfaqësuesja e UNICEF-it në Maqedoni, Elspeth Erickson.

Raporti tregon se në 52 shkolla të mesme, ose 56.5 % e shkollave, kanë nxënës me aftësi të kufizuara. Në shkollat e mesme procesin mësimor e ndjekin 246 nxënës me aftësi të kufizuara, ose 2.79 nxënës për një shkollë. /MRTV