Arrin në Shkup sekretari amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Matis


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis ka arritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Shkupi”.

Pas pritjes në aeroport Matis, në Qeveri do të ketë takim me kryeministrin Zoran Zaev, me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, ndërsa më pas është paraparë deklaratë e përbashkët për mediat.

Matis paraprakisht këtë javë paralajmëroi se do ta vizitojë Maqedoninë për të shprehur mbështetje të qartë për referendumin e ardhshëm.

“Do të shkoj t’i vizitoj miqtë tanë të Maqedonisë dhe do ta bëj të qartë se SHBA-ja e mbështet popullin e Maqedonisë”, tha Matis në një deklaratë për gazetarët në Pentagon.

Matis tha se është i brengosur se Rusia mund të tentojë të përzihet në procesin e referendumit në Maqedoni.

“Nëse keni votim, Moska do të përzihet. Unë jam i shqetësuar për këtë. Përzierja të tillë Rusia ka praktikuar nga Estonia e deri në SHBA, nga Ukraina dhe tani deri në Maqedoni, gjithmonë i përshtatet situatës konkrete”, tha ai.

Për herë të parë në 14 vitet e fundit një sekretar amerikan i Mbrojtjes ndodhet për vizitë në Maqedoni.