Arrestohet personi që plagosi 22-vjeçarin nga Luboteni


Policia e ka kapur sulmuesin që ditë më parë tentoi ta vrasë 22 vjeçarin nga Lubeteni, në Lagjen Hasanbeg. Siç njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, autori i dyshuar është një 26 vjeçar nga Shkupi i cili tashmë është marrë në pyetje nga policia lidhur me motivet dhe rrethanat e ngjarjes që shqetësoi banorët e Hasanbegut.

Ministria e Punëve të Brendshme

“Sektori për punë të brendshme në Shkup, ka ngritur kallëzim penal kundër 26-vjeçarit A.M nga Shkupi, për shkak të dyshimeve se më 24 shtator, me më shumë të shtëna nga armë zjarri, ka tentuar ta vrasë 22 vjeçarin nga Shkupi. Ai ka kryer veprën penale “tentim për vrasje”

Prokuroria e ka kualifikuar veprën poashtu si “tentim për vrasje” dhe për të dyshuarin 26 vjeçar ka propozuar masën e paraburgimit.

Prokuroria Publike

“Prokuroria ka nisur hetim për një person, për veprën “tentim për vrasje”. Prokurori publik i ka dorëzuar Gjykatës propozim për shqiptim të masës së paraburgimit. I dyshuari përndiqet për tentim-vrasje të të dëmtuarit J.B i cili ka qenë në makinën e tij të tipit Mercedes, ndërsa i dyshuari e ka gjuajtur me pushkë automatike për disa herë rrishtazi. I dyshuari i ka shkaktuar 22 vjeçarit lëndime të rënda trupore”

Policia dhe prokuroria edhe njëherë shpjeguan se i dyshuari, ia ka zënë rrugën me makinë, 22 vjeçarit nga Lubeteni, dhe pastaj me breshëri plumbash ka filluar ta gjuajë. Katër prej më shumë se 30 plumbave që kishin fluturuar në drejtimin e tij, i kishin mbaruar në trup, kryesisht në pjesën e krahërorit. Por pas operacionit, i sulmuari ka dalë jashtë rrezikut për jetë, por është nën mjekim të vazhdueshëm. Kalimtarë të rastit e kishin dërguar të sulmuarin në spital menjëherë, dhe kjo ia ka shpëtuar jetën atij. Ngjarja ndodhi tre ditë më parë, por edhe sot nuk janë qartësuar motivet e vërteta. Jozyrtarisht mbesin informatat se motivet janë për qëllime hakmarrëse, shkaku i mosmarrëveshjeve mes dy familjeve për vite me radhë./SHENJA/