Arrestohet personi i katërt për rastin e të miturës në Drenas


Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka vazhduar veprimet hetimore lidhur me rastin e Drenasit në konsultim të drejtpërdrejtë me Prokurorinë e Shtetit.

Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore sot në orët e pasdites hetuesit e IPK-së arrestuan të dyshuarin e katërt në këtë rast, avokatin Gazmend Halilajn.

“I dyshuari me inicialet G.H. u arrestua nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin dhe frikësim gjatë procedurës penale. G.H. është personi i katërt që ndalohet në lidhje me rastin e abuzimit seksual të një të miture nga Drenasi. Bazuar në aktvendimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës të dyshuarit G.H i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave tjera sipas Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në komunikatën e IPK-së..

Lidhur me këtë rast deri më tani janë ndaluar një zyrtar policor, një mësimdhënës dhe një mjek.