Arrestohet në kalimin kufitar të Bllacës ish-ushtari i UÇK-së Tomor Morina


Ish-ushtari i UÇK-së pjesëmarrës në luftërat në Kosovë, Tomor Morina është arrestuar sot në vendin tonë në kalimin kufitar të Bllacës.

Nga MPB-ja konfirmuan se Morina është arrestuar me kërkesë nga Serbia, për shkak të dyshimit se ka marrë pjesë në krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.

Mediat serbe shkruajnë se presin që në ditët në vijim Morina të ekstradohet në Serbi, respektivisht Ministria e Drejtësisë të bëjë kërkesë  në organet legjislative të Maqedonisë së Veriut e cila do të vendosë nëse  plotësohen kushtet për ekstradimin e tij.

Ndërkaq,  Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka dënuar ndalimin e ish ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina në Maqedoninë e Veriut.

Jetlir Zyberaj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës në rrjetin social Facebook thekson se ky është një tjetër shembull i keqpërdorimit politik nga Serbia.

Sipas mediave të Kosovës, Morina  ka marrë pjesë në luftërat në rajonin e Dukagjinit.