Anketë e IPIS: Nuk ka hyrje në BE dhe NATO pa ndryshimin e emrit kushtetues


Shumica e qytetarëve, respektivisht 53,5 për qind vlerësojnë se nuk është e mundur që Maqedonia të hyjë në BE dhe në NATO pa ndryshimin e emrit kushtetues, tregojnë rezultatet nga pjesa e tretë dhe e fundit nga hulumtimi i Institutit për Hulumtime Politike nga Shkupi (IPIS), që është bërë në periudhën mes 16 dhe 21 dhjetorit vitin e kaluar.

Sipas rezultateve nga anketa, 27,5 nga të anketuarit vlerësojnë se ekziston mundësi e tillë, ndërsa 19 për qind janë përgjigjur me nuk e di.

Nga rezultatet shihet se 38,2 për qind nga qytetarët do të pranonin ndryshim të emrit kushtetues për përdorim ndërkombëtar me qëllim që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s, 47,1 për qind nuk do të pranonin ndryshim, ndërsa 14,7 për qind janë përgjigjur me nuk e di.

Dyzet e nëntë për qind nga të anketuarit vlerësojnë se kontesti me Greqinë për emrin mund të zgjidhet së shpejti, 27,9 për qind se zgjidhja e shpejtë nuk është e mundur, ndërsa 23,1 janë përgjigjur me nuk e di.

Shumica e të anketuarve, respektivisht 57,6 për qind e përkrahin iniciativën e Qeverisë për përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë, që është zvogëlim i vogël në krahasim me hulumtimin paraprak të IPIS-it nga marsi i vitit 2016, kur ajo përkrahje ka qenë 58,8 për qind. Rezultatet tregojnë se 23,2 për qind nuk e përkrahin iniciativën qeveritare, ndërsa 19,2 për qind janë përgjigjur me nuk di.

Në pyetjen sa është me rëndësi që kontesti me emrin të zgjidhet menjëherë, 60 për qind vlerësojnë se është shumë me rëndësi, 17,5 për qind deri diku me rëndësi, 9,7 deri diku jo i rëndësishëm, 6,4 se aspak nuk është me rëndësi, ndërsa 6,4 për qind janë përgjigjur me nuk e di.

Shumica e të anketuarve, respektivisht 42,6 për qind vlerësojnë se kontesti me emrin do të mund të zgjidhet deri nga fundi i vitit 2018, 32,7 për qind janë përgjigjur me “jo”, ndërsa 24,7 për qind u prononcuan me nuk e di.

Rezultatet tregojnë se 25,6 për qind nga të anketuarit janë përgjigjur se Maqedonia mund të marrë ftesë për pranim në NATO dhe t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE këtë vit, 22,7 u përgjigjën se nuk e dinë kur do të ndodhte kjo, 19,3 u përcaktuan për vitin 2020, 13,5 për qind për vitin 2019, 8,6 për qind për periudhën prej vitit 2021 deri 2025, 6,9 për qind vlerësojnë se kjo nuk do të ndodhë asnjëherë, ndërsa 3,3 për qind pas vitit 2025.

Hulumtimi u zbatua te 1.113 persona të rritur në shkallë të Republikës së Maqedonisë, e ku qytetarët i kanë shprehur qëndrimet e tyre me shtetet fqinje, marrëdhëniet me Greqinë, kontestin për emrin dhe integrimet euro-atlantike të Maqedonisë.

Anketa është bërë në bashkëpunim me Universitetin Kolumbia nga Nju-Jorku, përmes projektit të financuar nga Qeveria e Norvegjisë