Anketa e IRI-t: Rritet përkrahja për anëtarësim në NATO dhe BE

Rezultati i një sondazhi të Institutit ndërkombëtar republikan IRI, i realizuar në prag të referendumit të 30 shtatorit, tregon rritje të nivelit të optimizmit dhe përkrahjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Përkrahja për anëtarësim në BE dhe në NATO vazhdon të rritet. Numri i atyre që janë në favor të anëtarësimit të Maqedonisë në BE, është rritur në 83%. Kjo është një rritje prej 6% në krahasim me gushtin e vitit 2017 dhe rritje prej 11% në krahasim me marsin e vitit 2017. Përkrahja për në NATO-n është gjithashtu e lartë me 77 për qind”,- thuhet në njoftimin e IRI-t.

Sipas këtij sondazhi, 57% e të anketuarve përkrahin anëtarësimin euroatlantik të vendit. Prej tyre 37% e përkrahin në tërësi zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, ndërsa 20% e “përkrahin deri në një farë mase” propozimin që Maqedonia të anëtarësohet në BE dhe në NATO nën emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”. 57 % e të anketuarve besojnë se përfitimet e anëtarësimit e arsyetojnë ndryshimin e emrit. Gati gjysma e të anketuarve, apo 49%, do të votojnë “pro” pyetjes së referendumit më 30 shtator, krahasuar me 22% që do të votojnë “kundër” ndryshimit të propozuar.

Sondazhi gjithashtu reflekton një trend të vazhdueshëm të optimizmit të rritur dhe perceptimit të stabilitetit kombëtar. 37% e  të anketuarve mendojnë se vendi është duke lëvizur në drejtimin e duhur, e kjo është një  rritje prej 10 % prej gushtit të vitit 2017 dhe rritje prej 23% prej marsit të vitit 2017. Perceptimi i stabilitetit është gjithashtu i lartë: numri i të anketuarve që mendojnë se Maqedonia është më stabile tani se para një viti, e këtë e konfirmon numri prej 37% e të anketuarve, kundrejt 25% që besojnë të kundërtën. Dhe kjo sipas të dhënave të sondazhit të IRI-t, është rezultat i parë i tillë i perceptimit në gati nëntë vitet e fundit.

Ky sondazh u zhvillua për Qendrën për hulumtime të sondazheve nga GfK Skopje – firmë për hulumtim të tregut. Të dhënat janë mbledhur prej 28 qershor deri më 15 korrik 2018, nëpërmjet intervistave ballë për ballë nga profesionistë të trajnuar, nga 1100 të anketuar të moshës mbi 18 vjeç. Shkalla e përgjigjes ishte 69%. Hulumtimi u zhvillua me përkrahjen e Agjencisë së ShBA-ve për zhvillim ndërkombëtar. (TVM2)