Anashkalimi i opozitës shqiptare, Demiri: Opozita, jo-relevante për mazhorancën


Mos përfaqësimi i opozitës shqiptare në takimin e mbrëmshëm të liderëve, ku u diskutua propozimi i Nimicit dhe takimi i dy kryeministrave Zaev-Cipras, sipas analistit Alajdin Demiri është për shkak të sjelljes së mazhorancës, e cila opozitën shqiptare e quan si jo relevante.

“Në këtë fazë nuk është e rëndësishëm e çuditshme roli i opozitës po më i çuditshëm është roli i mazhorancës në të vërtet roli i BDI-së, opozita ndjehet e anashkaluar edhe ashtu sillet për arsye se mazhoranca e quan jo relevante dhe jo të rëndësishme dhe opozita nuk ka ofertë që të ofrohet në mënyrë agresive ashtu si ofrohet mazhoranca. S’ka çka të bëjë opozita s’ka si të reagoj dhe e pakuptimtë është pse të reagoj nuk ka çka të reagoj kur Zaevi dhe mazhoranca tregoj se mu më mjafton Ali Ahmeti dhe nuk kamë nevojë për askënd tjetër”, deklaroi Alajdin Demiri, analist.

Bilall Kasami i lëvizjes Besa tha se deri në momentin e fundit kanë pritur një ftesë nga kryeministri për të marrë pjesë në takim si përfaqësues legjitim të shqiptarëve.

“Kemi pritur deri në momentin e fundit ndoshta do të reflektojnë që edhe shqiptarët të jenë të përfaqësuar në këtë debat që po zhvillohet rreth çështjes së emrit duke e ditur që BDI nuk I ka votat e shqiptarëve dhe shumica e votave të shqiptarëve janë tek opozita në këtë rast Besa dhe Aleanca por po e shohim që deri në moment të fundit nuk ka një reflektim të këtillë”, tha Bilall Kasami.

Në takimin e mbrëmshëm, i cili zyrtarisht ishte thirrur nga shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov, pos kryeministrit dhe presidentit, morën pjesë edhe kreu i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski dhe ai i BDI-së Ali Ahmeti.