Analizë: Maqedonia me hapa të ngadaltë po ec drejt Evropës


Në prag të publikimit të Raportit të Komisionit Europian për Maqedoninë, vendi shënon ngecje në zbatimin e Planit “3-6-9”, posaçërisht në miratimin e pakos së ligjeve reformatore.

Ngecja më e madhe ndodh me ligjet sistemore, të cilat duhet të miratohen me dy të tretat e votave, e që pa votat e opozitës nuk kalojnë dot.

Dhe përderisa shumica pretendon të shtojë numrat në Kuvend, VMRO-DPMNE ka parashtruar kërkesën për mocion mosbesimi të Qeverisë Zaev.

Megjithatë, ky akt, më shumë shihet si mundësi për rikthimin e opozitës në punimet e Kuvendit, sesa mundësi reale për rrëzimin e qeverisë.

“Jam i mendimit se kemi njëfarë ngecje në planin “3-6-9”, bile edhe në aspektin normativ. Akoma nuk janë miratuar të gjitha ato ligje që praktikisht janë pjesë e atij programi, veçanërisht segmenti që ka të bëjë me dy të tretat, pra me ligje shumë të rëndësishme që një pjesë e tyre janë edhe sistemore. Natyrisht se pa prezencën e opozitës është gati e pamundur që të miratohen këto ligje”, theksoi për MTV2, profesori i universitetit, Mersel Bilalli, transmeton Zhurnal.

Opozita maqedonase është deklaruar se nuk do të pengojë procesin e integrimit euroatlantik të vendit, prandaj grupe pune mes pushtetit dhe opozitës diskutojnë pakon e ligjeve reformuese.

Por, Bilalli konsideron se udhëheqësia e re e VMRO-së vazhdon të jetë nën ndikimin e strukturës së vjetër dhe ndasitë brenda VMRO-DPMNE-së e vështirësojnë situatën e përgjithshme politike.

“Problem shtesë është se grupet parlamentare, të cilat si duket janë të revoltuara dhe bëjnë politikë të veten personale, kështu që e gjithë kjo reflektohet në problemet e përgjithshme. Por, sido që të jetë, mendoj se politika e madhe është ajo që do të vendos që ne të marrim thirrje edhe për NATO dhe të marrim vlerësimin pozitiv për startimin e bisedimeve pa kusht”, u shpreh profesori i universitetit, Mersel Bilalli.

Përkundër ngecjeve në zbatimin e reformave në këto dhjetë muaj qeverisje të qeverisë së re, Maqedonia ka shënuar avancim të dukshëm në marrëdhëniet me fqinjët, një kusht ky i rëndësishëm për procesin integrues.

Pas Marrëveshjes me Bullgarinë, vendi ka intensifikuar bisedimet me Athinën zyrtare për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët për kontestin rreth emrit.