Analitika: Institucionet të përqëndrohen në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm


Qendra për Hulumtime Analitika organizoi promovimin e publikimit të radhës me titullin “Të punuarit drejt bashkësive të qëndrueshme”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Maqedoni. Ky raport për analizë të politikave fokusohet në faktorët specifk dhe nxitësit e ekstremizmit të dhunshëm në Maqedoni. Kështu, punimi synon të adresojë rrënjët thelbësore të kësaj çështjeje duke hulumtuar dinamikën e zhvillimit dhe manifestimit të saj me shpresë të kontribuimit drejt ndërtimit të shoqërive më të qëndrueshme.

Në fjalimin e tij të hapjes, Ambasadori i Mbretërisë së Hollandës në vend Wouter Plomp theksoi se rezultati në parandalimin dhe kundërvënien ndaj ekstremizmit të dhunshëm mund të arrihet vetëm me qasje gjithpërfshirëse ku politikbërësit shtetëror punojnë së afërmi me aktorët joshtetërorë sikurse janë OJQ-the dhe bashkësitë fetare, si dhe shkëmbejnë informata.
“Shpresoj se kjo do të reflektohet edhe në Strategjinë e qeverisë së Maqedonisë për Kundërvënien ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm që do të miratohet së afërmi”, shtoi Plomp.


Në prezantimet e tyre në këtë eveniment, autorët e raportit Samet Shabani dhe Amir Kadri shtjelluan gjetjet nga hulumtimi 13 mujor në komuna të përcaktuara. Hulumtimi përbëhet nga intervista me akterë relevant të shoqërisë siç janë mësimdhënësit në shkolla të mesme, predikuesit fetarë, akademikët si dhe përfaqësues të OJQ aktive në komunitet. Përveç intervistave, hulumtimi përfshin edhe vrojtime nga fokus grup debate të moderuara me rininë. Komponenta tjetër e këtij hulumtimi ishte sondazhi për perceptimin e qytetarëve mbi ekstremizmin e dhunshëm. Punimi gjithashtu detekton ekstremizmin në rrjetet sociale me kontent lokal. Së fundmi, raporti adreson rekomandime për akterë relevantë të shoqërisë që të kontribojnë në ngritjen e qëndrueshmërisë së komuniteteve ndaj këtij fenomeni.

Është e vështirë të definohen faktorët shtytës dhe tërheqës së përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm, mirëpo faktorët të cilët më së shumti përmenden janë: bindjet e gabuara ideologjike, keqinterpretimi i teksteve fetare, trajtimi i dobët familjar, komunikimi i dobët i treshit pedagogjik mësimdhënës-nxënës-prindër, ndjenja e të trajtuarit keq nga institucionet, papunësia, gjendja e dobët ekonomike në vend dhe mos ofrimi i perspektivës tek të rinjtë, cenueshmëria e personave me një të kaluar të rëndë psiçike dhe disa faktorë të tjerë të cilët mund të jenë indikatorë për personat të cilët përkrahin ide të tilla.

Gjatë prezantimit të tij, Samet Shabani u shpreh se në bazë të këtij hulumtimi do të ketë një fotografi më të qartë se ku duhet insitucionet të përqëndrohen në lidhje me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
“Një ndër fushat në të cilat duhet të investohet më shumë është ngritja e kapacitetit të komunikimit mes mësimdhënësve, nxënësit dhe prindërve. Rinia duhet të angazhohet më tepër në aktivitete brendashkollore dhe jashta saj. Gjithashtu edhe bashkësitë fetare në Maqedoni duhet të luajnë një rol të veçant në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke u angazhuar në organizim të evenimenteve të përbashkëta ku promovohen bashkëjetesa në harmoni me diversitete dhe dialogu ndërfetar.” deklaroi Samet Shabani.


Amir Kadri gjithashtu prezantoi rezultatet nga sondazhi i realizuar me qytetarët mbi qëndrueshmërinë e bashkësisë ndaj fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm. Sipas rezultateve, Kadri theksoi se ekziston qëndrueshmëri ndaj këtij fenomeni, por kjo duhet të strukturohet në mënyrë të ngritjes së besueshmërisë ndaj institucioneve publike.
“Ajo që është shumë e rëndësishme në këtë anketë është fakti se qytetarët bëjnë dallim të qartë mes grupeve ekstremiste dhe religjionit. Kjo qartësohet nga fakti se 62% e qytetarëve nuk e konsideron grupën e dhunshme ekstremiste ISIS si grup religjioz. Një fakt tjetër interesant në bazë të anketave është se 29% e të anketuarve mendojnë se propaganda onlajn ndikon që njerëzit të përkrahin ide ekstreme, ndërsa 27% mednojnë se fjalimet joformale të predikuesve fetar të vetëshpallur ndikojn që të nxisin rinin për tu rekrutuar në luftëra të huaja duke iu bashkangjitur grupave të dhunshme ekstremiste.

Në anketë gjithashtu është shpalosur se qytetarët tregojnë rezistencë ndaj këtij fenomeni. Në pyetjen se si ata do të reagonin në rast se ndonjë familjar ose mik shfaq interesim për t’ju bashkangjitur ISIS në luftën në Siri dhe Irak, 63% e qytetarëve kanë deklaruar se do të mundoheshin t’ia ndryshojnë mendimin të afërmit të tyre. Gjithashtu, 8 % e tyre shënuan se rastin do ta raportonin tek institucionet shtetërore. Kjo dëshmon se besueshmëria e qytetarëve ndaj institucioneve publike është mjaft e dobët.”  shtoi më tepër Amir Kadri.

Në fund, Ivica Nikodinovski nga Komiteti Nacional për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe luftë kundër terorizmit, shpërndau përshtypjet nga puntoria mbi ekstremizmin në internet, aktivitet ky i organizuar në suaz të projektit. Nikodinovski gjithashtu potencoi rëndësinë e angazhimit të bashkësisë në parandalimin e ekstremizmit onlajn nëpërmjet raportimeve relevante, dhe në përgjithësi mbi bashkpunimin e institucioneve dhe qytetarëve për qëndrueshmëri më të madhe ndaj fenomeve të tilla që ndikojnë shoqërinë.

Në këtë evenimnt të pranishëm ishin përfaqësues nga qeveria, ambasada dhe organizata ndërkombëtare dhe të vendit , predikues fetarë, OJQ dhe akademikë.