Analistët: Partitë shqiptare nuk janë palë negociuese dhe as vendimmarrëse në kontestin e emrit


Shqiptarët në Maqedoni, nëpërmjet subjekteve të tyre politike, nuk janë palë negociuese dhe as vendimmarrëse lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë me Greqinë, andaj është e kuptueshme që në këtë proces ata do të dëmtohen, pavarësisht nga zgjidhja, për shkak të mungesës së artikulimit të kërkesave të tyre, thonë analistët duke folur mbi procesin e bisedimeve për çështjen e emrit dhe angazhimin e faktorit politik shqiptarë në këtë proces, shkruan Zhurnal.

“Shqiptarët në Maqedoni, nëpërmjet subjekteve të tyre politike, nuk janë palë negociuese dhe as vendimmarrëse lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë me Greqinë, andaj është e kuptueshme që në këtë proces ata do të dëmtohen, pavarësisht nga zgjidhja, për shkak të mungesës së artikulimit të kërkesave të tyre. Duke vendosur të mos përzihet në këtë çështje identitare të maqedonasve, të cilën e konsideron si qasje konstruktive, politika shqiptare, si gjithherë bën gabime të papërmirësueshme në dëm të popullit që e përfaqëson”, thotë për Zhurnal, Ismail Arsllani, analist.

Sipas tij, tashmë dihet që pala maqedonase dhe ajo greke kanë rënë në ujdi për disa pjesë të marrëveshjes, mbi të gjitha për emrin, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë me akronim gjeografik, gjë që nuk është konform strukturës etnike të Maqedonisë, sepse me të përforcohet identiteti ekskluziv i maqedonasve, ndërsa shqiptarët si autoktonë dhe të tjerët bëhen “qiraxhinj” në vendin e tyre.

“Tashmë dihet që për shqiptarët një emërtim i Maqedonisë me prefiks gjeografik, është i papranueshëm, aq më shumë nëse arrihet marrëveshja sipas kërkesës së palës greke, që shtesa gjeografike e emrit të mos përkthehet, atëherë do të shkaktohet një paqartësi e madhe për shqiptarët se si do ta emërtojnë në gjuhën e tyre, vendin në të cilin po jetojnë. Me këtë, politika shqiptare do të shënojë edhe një dështim në çështjet strategjike kombëtare”, nënvizoi Arsllani.

Nga ana tjetër, analisti nga Kosova, Faik Krasniqi thekson se në çështjen e emrit politika shqiptare është treguar shumë pasive, thua që kjo çështje nuk ka të bëj fare me shqiptarët, por është punë mes grekëve dhe sllavomaqedonasve.

“Në çështjen e emrit politika shqiptare është treguar shumë pasive, thua që kjo çështje nuk ka të bëj fare me shqiptarët, por është punë mes grekëve dhe sllavomaqedonasve. Konsideroj që Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të jenë më aktive lidhur me këtë çështje, sepse çështja e emrit ka të bëj edhe me shqiptarët, dhe nëse ndërrohet emri sipas interesave të grekëve dhe sllavomaqedonasve, atëherë dëmtohen rëndë interesat e shqiptarëve në Maqedonia”, theksoi për Zhurnal, Faik Krasniqi, analist.

Ai vlerëson se Maqedonia është territor shqiptar dhe Tirana e Prishtina zyrtare duhet të jenë gardian të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe partitë politike shqiptare duhet të jenë shumë aktive kur janë në pyetje të drejtat dhe interesat e shqiptarëve, sepse tash kanë fuqi politike për një gjë të tillë.

Related