Analistët: Ligji i gjuhëve, zgjidhja në duart e Xhaferit


Ende nuk dihet se kur do të hynë në procedurë parlamentare ligji për gjuhët pas ngërçit të krijuar me mosdekretimin e itj nga ana e presidentit Ivanov e me e më pas edhe me dorëzimin e mbi 35 mijë amendamenteve nga VMRO.

E drejta e gjuhës është e drejtë jetike me të cilën nuk duhet të bëhen kompromise, vlerëson profesori universitar Bashkim Selmani.

Sipas tij, politika shqiptare nuk guxon të jetë më tolerante, pasi kjo që po i bënë gjuhës shqipe VMRO, është e papranueshme në të gjitha aspektet e në të gjitha nivelet.

“Deri tash ka pasur tendenca dhe kanë toleruar por unë besoj që kjo do të jetë radha e fundit që shqiptarët tolerojnë, sepse gjuha është e drejtë jetike. Tani duhet të ketë një marrëveshje, me të cilën të caktohen afatet, e të merren vesh për ecurinë e procedurës, sepse këtu ka gërsheti të tre elementeve, ai politik, procedural dhe elementi i nacionalizmit. Dhe ky nacionalizëm i VMRO-së, është i pashërueshëm”, tha profesori universitarë, Bashkim Selmani.

Njëherë e përgjithmonë pala shqiptare duhet ti përgjigjet drejtpërdrejt, e të gjitha veprimet e tjera, qofshin dimplomatike apo politike shqiptarët duhet ti ngrejnë, duhet ta bllokojnë kuvendin e gjuha medoemos duhet të kalojë.

Profesori universitar Mersim Maksuti, thotë se as presidenti e as Kuvendi nuk është kompetent të vlerësojë nëse ligji është në pajtim me Kushtetutën . Zgjidhja sipas Maksutit, është në duart e kreut të Kuvendit

“Konstatimi nëse ligji është kushtetues apo jo, tashmë ka kaluar në trupat punues të Parlamentit, tashmë kjo është çështje e konsumuar. Pra ligji sipas shumicës që e kanë votuar, ai vecmë është Kushtetues, pra kreu i kuvendit duhet të shkojë direkt në votim”, tha profesori universitarë, Mersim Maksuti.

Nëse kjo nuk arrihet, zgjidhje tjetër sipas Maksutit, është duke grumbulluar amendamentet me përmbajtje të njëjtë , duke zvogëluar numrin e tyre

“Nëse më shumë amendamente kanë përmbajtje të njëjtë atëherë kryeparlamentari Xhaferi mund të propozojë të hapet një diskutim i përbashkët për të gjitha amendamentet që kanë përmbajtje të njëjtë, e më pas të shkohet në votim, ky është një opsion teknik, që e lejon rregullorja e punës së Kuvendit”, u shpreh profesori universitarë, Mersim Maksuti.

Selmani ndërkohë përkujton se Maqedonia ka një marrëveshje siç është Marrëveshja e Ohrit por ka edhe konventa ndërkombëtare që e cilësojnë gjuhën të drejtë natyrore. Ai porosit politikanët shqiptarë të jenë unikë për çështjen e gjuhës, e të mos presin që e njëjta të prolongohet pas zgjidhjes së çështjes së emrit.

“Do të jetë mirë që përsëri të rikulifikohen marrëveshjen ndërpartiake e ndërshqiptare, e të krijohet një strategji me një afat të caktuar ose pas ose para emrit. Situate më e mirë do ishte që kjo çështje të zgjidhet , njëherë e përgjithmonë të përfundojë çështja e gjuhës dhe atëherë do të rifilloni të zgjidhen edhe të drejtat e tjera themelore, që është edhe interes i përgjithshëm i RM-së”, deklaroi profesori universitarë, Bashkim Selmani.