Analistët: Kërkesa e VMRO-së për zgjedhje të parakohëshme, normale dhe legjitime


Në protestën e parë antiqeveritare kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski kërkoi zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare së bashku me ato presidenciale, që do t’i zbatojë Qeveria teknike dhe kryetari i KSHZ-së nga radhët e opozitës. Mickovski kërkoi ndihmën e shqiptarëve për të mposhtur Zaevin. Rreth çështjes së emrit, Mickoski përsëriti se opozita nuk do të pranojë ndryshimin e Kushtetutës për ndërrimin e emrit të shtetit.

Polotologu Murat Aliu shprehet se kërkesa e VMRO-së për zgjedhje të parakohëshme është një kërkesë normale. Sipas tij kjo parti këtë kërkesë e bazën në rezultatet e dobëta që Qeverisë Zaev.

“Kërkesa e VMRO DPMNE-së për zgjedhje të parakohëshme parlamentare është një kërkesë normale për një parti opozitare. Në këtë kontekst nuk mendoj që ka ndonjë prapavijë kjo kerkesë e VMRO DPMNE-së, ngase vleresoj që këtë kërkesë kjo parti e bazon në rezultatet jo aq të mira të kësaj qeverie, dhe veçmas shpreson në përfitimin e votave nga qëndrimi që ka ndaj çështjes së emrit”, ka deklaruar për Zhurnal, politologu, Murat Aliu.

Ndërkaq, analisti politik Nijazi Muhamedi për Zhurnal shprehet se mitingu i VMRO-së ishte një “bubullimë opozitare” boshe, sa për ta numëruar veten sa ka mbetur kjo parti pas shkundjes nga kreu i korruptuar i saj.

Sipas tij ishte një miting që doli si një argëtim demokratik për qeverinë, e cila poashtu duhet ta shikojë veten se ka nisë ta humbe drejtimin që ka nisur t’ia gërryejë legjitimitetin e pushtetit të saj.

“Mitingu poashtu jepte për të kuptuar se VMRO donte të perçonte mesazhin kërcënues etnocentrik ndaj Greqisë dhe mesazhin poshtërues ndaj shqiptarëve në prag të gjoja zgjidhjes së emrit dhe indirekt ishte i kuptueshem se i ngjante një loje politike të tinëzuar ndërmjet LSDM-së dhe VMRO-së perballë negocimeve rreth emrit. Zgjedhje gjerë në pranverë nuk mund të ndodhin as me dashjen e Zaevit, as me dashjen e Mickoskit, për arsye se Zaevi erdhi në pushtet edhe me një mbeshtetje partnerësh strategjik të Maqedonisë për të rrëzuar ecjen gjeopolitike dhe gjeostrategjike të shtrembër që kishte marrë pushteti korruptiv i Gruevskit, ndaj edhe pa shkuar gjerë në fund rikthimi i Maqedonisë në vijat kryesore në paradigmën e qëndrueshme euro-atlantike dhe të integrimeve të tjera europiane e rajonale, është fare pak e besueshme që të ketë zgjedhje që do të krijonin turbulenca demokratike që do të prodhonin qeverisje për legjione korruptive në emer të demokracisë”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik, Nijazi Muhamedi.