Analistët: Faktori ndërkombëtar me mundësi të fundit për Maqedoninë “O tani, o kurrë”

Largimi i “Aleancës për Shqiptarët” nga Qeveria në moment kyç dhe sensitiv për Maqedoninë, dhe në moment kur bëhet gjithçka e mundur për debllokimin e proceseve euroatlantike, mund të ketë pasoja negative për shtetin. Edhe përkundër paralajmërimit se do të qëndrojnë në Qeveri së paku deri në votimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, funksionarët e “Aleancës për Shqiptarët” përgatitën valixhet dhe sot zyrtarizojnë dorëheqjet e tyre prej posteve qeveritare dhe me këtë ASH edhe zyrtarisht zhvendoset në opozitë.

Kryeministri Zaev duke komentuar largimin e ASH-së nga kabineti i tij qeveritar, tha se ky hap ishte i pritshëm pasiqë lideri Zijadin Sela nuk e pranoi ofertën e qeverisë për zëvendëskryeministër për reforma. Zaev shtoi se nuk është në nxitim për nënshkrimin e largimeve të kuadrove të ASH-së dhe të përbërjes së kaluar qeveritare sepse siç theksoi ai, aty ka edhe kuadro kualitativ dhe beson në kapacitetin e tyre. Zaev në ndërkohë edhe me apel deri tek opozita në krye me VMRO – DPMNE-në që grupi parlamentar i saj ti kthehet punës së Kuvendit dhe bashkërisht të punojnë për reformat e nevojshme për të afruar shtetin në drejtim të Bashkimit Evropian dhe NATO-së.

Mirëpo njohësit e çështjeve politike tërheqin vëmendjen se në vitin e ardhshëm politikbërësit duhet të jenë shumë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm gjatë vendimmarrjes përshkak se tani është më e nevojshme se asnjëherë më parë që liderët e partive politike të bëjnë kompromise në emër të interesave shtetërore. Lojërat dhe mosmarrëveshjet politike mes aktorëve politik, sipas analistit dhe kolumnistit Agim Jonuz, duhet të ndalojnë sepse bëhet fjalë për ardhmërinë dhe imazhin ndërkombëtar të Maqedonisë. Sipas tij, Maqedonia është e drejtuar para një sfide të madhe dhe ka mundësi historike të cilën Sela, Zaev, Ahmeti dhe Mickovski nuk duhet ta humbasin.

“Sela, Zaev, Ali Ahmeti dhe lideri i ri i VMRO – DPMNE-së janë të vetëdijshëm se basti për vitin 2018 është shumë i madh që kushdoqoftë prej tyre të tregoj joseriozitet, jokompaktibilitet dhe jokoperativitet me Qeverinë. Çdo ekskursion vitin e ardhshëm, në kohë kur duhet të shfrytëzojnë shancin e fundit që na e jep Bashkimi Evropian dhe NATO, si dhe çdo joseriozitet tjetër, do të jetë tragjik për Maqedoninë. Maqedonia është e drejtuar para një sfide të madhe “o tani o kurrë”. Ardhmëria e Maqedonisë do të jetë e paqartë nëse nuk dëshmojmë pjekuri politike. Mendoj së pamarr parasysh se çfar do të bëjë Sela, ai është i vetëdijshëm se edhe nëse dëshiron, nuk guxon të bëhet pengesë për proceset e filluara dhe të njejtët nuk guxojnë të ndërpriten.

Nëse duhet, do të bëhen edhe para-marrëveshje ndërpartiake dhe nëse ka nevojë  do të formohen edhe koalicione me parti të treta me qëllim plotësimin e votave për konsensus dhe votimin e ligjeve. Nuk mendoj se Sela do të arrin të nxis destabilitet ose krizë që mund të ndikoj negativisht në këto procese. Për këtë arsye, nuk është në pyetje pozitë – opozitë, por në pyetje është Maqedonia dhe faktori ndërkombëtar. Por, nëse e tradhëtojmë faktorin ndërkombëtar, mendoj që asnjëherë më nuk do të jenë të interesuar as të na përmendin, edhe më pak të na ndihmojnë”, mendon Jonuz.

Politikologu Qenan Aliu me këndvështrim të pesimistit shikon në vitin 2018 kur është në pyetje ardhmëria euroatlantike e Maqedonisë. Sipas tij, lideri i BDI-së Ali Ahmeti bashkë me kryeministrin Zoran Zaev janë regjisorët, aktorët dhe krijuesit kryesorë të krizës brenda-koalicionit dhe Qeverisë. Aliu vlerëson se viti i ardhshëm nuk do të jetë pozitiv për Maqedoninë në planin e integrimit të vendit në BE dhe NATO.

“Është fakt se edhe përkundër asaj se bëhet fjalë për një shumicë të brishtë,kriza qeveritare është evidente.Bëhet fjalë për shkeljen e parimeve për formimin e qeverisë nga partitë që përbëjnë shumicën e brishtë. Regjisorë i kësaj krize është Bdi-ja nga humbja e primatit të saj, ndërsa kryeministri Zaev është kryeaktori i kësajrregjie politike kuptohet duke luajtur për popullaritetin më shumë të tij dhe për ate që edhe i konvenon politikisht partisë së tij. Ndërkaq ASH-ja dhe Ziadin Sela nuk ndaj mendimin se kanë ndonjë prapavijë përveç paraqitjeve publike me përmbajtje cinike,megalomane që po bënë z. Sela, mbase cinizmi në politikë nuk është edhe aq e vlerësuar në veçanti kur ajo etablohet nga liderë për çështje serioze. Fundja në politikë shumica parlamentare janë çështje relative, ajo mund të ritet për nga numrat mund edhe që të humbë edhe minimumin e numrave. Por demokracia ngërthen përsëri modalitete për gjetjen e zgjidhjes. Megjithate , nëse qeveria dhe partitë opozitare nuk do të sinkronizojnë qëndrimet për rrugëtimin e vendit në procesin e Eurointegrimit , ky synim do të dështojë. Ky rrugëtim nuk mund të ecet me lidershipe që nuk shpërfaq kapacitete të kompromiseve për interesa shtetërore. Procesi i integrim ka të ngjarë të DËSHTOJË edhe gjat vitit 2018-të ,sepse vendi ka president që minon këtë proces me sjelljetdhe paraqitjet e tij publike, a dihet se ky president-institucion shtetëror ka kompetenca kyçe për politikën e jashtme të vendit. Poqëse ndodhë ky dështim, dhe vajtja e punëve po më kësisoj shumice të brishtë zgjedhjet e parakohëshme parlamentare me ato të rregulltapresidenciale në prill të vitit 2019-të do të jenë të pashmangëshme.“, deklaroi Aliu për “Nezavisen”.

Kurthi me shumicën e brishtë parlamentare më mirë u vendos në test gjatë votimit të fundit të Prokurorit Publik në shtëpinë ligjvënëse. Në momentin kur ai duheshte të votohet, në Kuvend mungonin deputetët me ç’rast kryeparlamentari Talat Xhaferi u detyrua të kërkojë pushim i cili zgjati deri në momentin e formimit të kuorimit për votim.

Blerim Ismaili