Analistët: Është koha për një përballje televizive Ahmeti-Sela

Pas më shumë se një dekade qytetarët e Republikës së Maqedonisë ishin dëshmitarë të duelit të parë televiziv mes liderit të pozitës dhe opozitës në Maqedoni, gjegjësisht mes Kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski.

Njohësit e rrethanave politike vlersojnë se debatet e tilla pozitë-opozitë rrisin vlerat dhe kulturën demokratike. Analistët shqiptar për Zhurnal shprehen se tani ka ardhur koha që të ketë edhe një duel televiziv në kampin politik shqiptar, gjegjësisht mes kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Ata shprehen se edhe opinioni duhet të bëj presion te elita politike shqiptare dhe të insistojnë me çdo kusht për një përballje të tillë televizive.

Opinionisti Robert Nesimi në një prononcim për Zhurnal shprehet se debatet pozitë-opozitë para publikut janë element i domosdoshëm i një demokracie të shëndoshë.

Ai e përshëndet përballjen e fundit mes Kryeministrit Zaev dhe liderit të opozitës Mickoski por Nesimi thotë se shqiptarëve u mbetet ndjenja e boshllëkut që moti nuk kanë qenë dëshmitarë të një dueli të tillë mes liderëve shqiptar.

“Në këtë drejtim është për t’u përshëndetur debati Zaev-Mickoski, por neve shqiptarëve na mbetet ndjenja e boshllëkut që moti nuk kemi parë një debat të tillë mes liderëve shqiptarë. Andaj mendoj se ka ardhur koha për një përballje mediatike mes Ziadin Selës dhe Ali Ahmetit si liderë të blloqeve kryesore pozitë-opozitë. Madje do kisha shtuar se vetë opinioni publik duhet të bejë presion dhe të insistojë për një përballje të tillë nëse vetë liderët nuk janë të gëtshëm për një hap të tillë. Një përballje publike Sela-Ahmeti do sqaronte shumë dilema e hamendje që akoma ka qytetari shqiptar në Maqedoni”, ka deklaruar për Zhurnal, opinionisti, Robert Nesimi.

Nga ana tjetër gazetari Lirim Dullovi për Zhurnal thotë se jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë e Shqipëri, mungojnë përballjet direkte mes oponentëve politik.

Sipas tij kjo flet për mosrespektin e politikanëve që kanë ndaj votuesit të cilin e privojnë nga kjo e drejtë e tyre të shohin një përballje mes liderit të pozitës dhe opozitës shqiptare.

“Më duket se në këtë aspekt jemi të veçant dhe kjo sipas meje flet për kulturen e komunikimit të politikanëve tanë dhe (mos)respektin që kanë ata për votuesin, të cilin e privojnë nga kjo e drejtë e tyre. Mendoj se kësaj praktike duhet t’i jepet fund sa më shpejtë, mirëpo për fat të keq, kjo varet nga ata, e jo nga neve, gazetarëve”, ka deklaruar për Zhurnal, gazetari Lirim Dullovi.

Përballja e fundit televizive mes liderëve shqiptarë ka qenë në vitin 2006 mes kreut të BDI-së Ali Ahmeti dhe ish liderit të PDSH-së, politikanit tashmë të ndjerë Arbën Xhaferi.

Niveli i demokracisë së një vendi varet ndër të tjerash edhe nga pjesëmarrja e qytetarëve jo vetëm në zgjedhje, por edhe angazhimi qytetar pas zgjedhjeve, iniciativat e ndryshme qytetare, andaj qytetarët shqiptar duhet të marrin iniciativë dhe të bëjnë apele që edhe në Maqedoni pas shumë kohe të ketë një përballje televizive mes Liderit të pozitës shqiptare dhe opozitës shqiptare.