Amnistia e fundvitit, rreth 900 të dënuar pritet të lënë qelitë

Nga amnistia e fundvitit, pritet që të përfitojnë rreth 900 persona të dënuar, të cilët po vuajnë aktualisht dënimin e tyre në burgjet e Shqipërisë.

Tashmë, një projektligj i posaçëm rreth saj është propozuar nga qeveria dhe pritet të gjejë miratimin e Kuvendit.

Sipas tij, parashikohet të përfitojnë nga amnistia, të gjithë personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me burgim deri në tre vjet, për dënime të dhëna deri më 30 nëntor 2018, pavarësisht kohës që u mbetet për të vuajtur.

Gjithashtu, amnistohen të gjithë personat e dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, u kanë mbetur pa vuajtur një periudhë deri në dy vite burgim.

Një tjetër kategori, që përfitojnë janë femrat e dënuara, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, ndërsa meshkujt, baras ose mbi moshën 60 vjeç.

Amnistohen gjithashtu personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, përjashto ata që kanë kryer vrasje ose krime të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sakaq, nga amnistia përjashtohen “të dënuarit për krime kundër njerëzimit, krime seksuale, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, apo ata që kanë kryer vepra penale kundër fëmijëve martesës ose familjes, nuk përfitojnë nga kjo amnisti”.

“Nuk përfitojnë nga amnistia, as të dënuarit për krime që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokrat të zgjedhjeve”, thuhet gjithashtu në projektin përkatës.

Duke përfunduar se një tjetër kategori që përjashtohet janë edhe personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.

(Albanian Free Press)