Amdi Bajram: Referendumi nuk duhet të bojkotohet, romët do të votojnë “pro”


Kryetari i Lidhjes së Romve, Amdi Bajram, ju ka bërë thirrje bashkëqytetarëve të tij që të dalin në referendum dhe të votojnë “për”, që siç tha, ai të jetë i suksesshëm.

“Romët në Maqedoni edhe gjatë referendumit të parë për pavarësinë e shtetit kanë votuar në masë të madhe. Në Maqedoni, romët i kanë të gjitha të drejtat, ata janë në preambulën e Kushtetutës dhe janë besnik ndaj shtetit. Kur duhet të sillet ndonjë ligj ne jemi këtu. Jemi politikanë besnik, çdo herë jemi në anën e shtetit”, tha në konferencë për shtyp, Amdi Bajram, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai shtoi se romët do të votojnë “pro”, pasi sipas tij kjo është për të mirën e gjithë qytetarëve.

“Gjithë romët punojmë së bashku, pasi bëhet fjalë për gjithë ne, për NATO, BE dhe për shtet stabil”, theksoi Bajram.

Ai në fund tha se edhe pse ka parti që nuk e mbështesin referendumin, populli dhe anëtarët e atyre partive do të votojnë në referendum.