Ambasada e SHBA-së qorton Mickoskin


Ambasada e SHBA-së në Shkup i dërgoi mesazh indirekt liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit- se e ka tepruar. Në reagimin që e ka publikuar në Fejsbuk dhe Twitter, ambasada ka theksuar se deklaratat nxitëse të liderëve politik shkaktojnë frikë dhe ndarje, veçmas kur për qëllime politike jokorrekte përdoren ngjarje historike siç është procesi i Nurembergut.

“Gjuha e tillë është e rrezikshme dhe nuk kontribuon në dialog produktiv lidhur me përparimin e vendit. Me rëndësi është liderët këtu të angazhohen në dialog më të civilizuar që do të kontribuojë në stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut, ka bërë të ditur sot Ambasada e SHBA-së në profilin e saj në Fejsbuk.

Lideri i opozitës nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski  dje në një intervistë televizive e krahasoi gjykimin e të akuzuarve për dhunën në Kuvend më 27 prill 2017 me procesin e Nurembergut, ose me gjykimin e nazistëve pas Luftës së dytë botërore.