“Almiri” ekspertët kritikojnë tentimin e prokurorëve


Ish gjykatësi Dane Iliev thotë se është Gjykata ajo që duhet të vendos në bazë të fakteve dhe dëshmive nëse ka apo jo nevojë për rikualifikim të rastit të Almir Aliut. Sipas tij, prokurori publik duhet të qëndrojë pas akuzës së ngritur deri në vendimin e gjykatës dhe cilido vendim që merret duhet gjithmonë të jetë në vijë të drejtë me dëshmitë dhe ligjin.

Situata është e tillë sepse unë nuk kamë dëshmi konkrete se çfarë ka ndodhur por sipas përvojës të deritanishme, prokurori publik duhet të qëndroj pas akuzës ndërsa gjykata është ajo që do të vendosë në bazë të dëshmive nëse akuza qëndron apo ka elemente të ndonjë vepre tjetër penale me çka gjykata do të kërkonte rikualifikim – deklaroi ish-gjykatësi Dane Iliev.

Ish-gjykatësi Iliev nuk e sheh si pozitive ndarjen etnike në organin e akuzës, e aq më pak vendosjen kolektive në Prokurori në lidhje me kualifikimin e rastit të Almriit. Iliev thotë se me vendim kolektiv humbet përgjegjësia e prokurorit të lëndës në fjalë dhe jepet hapësirë për dyshime të ndryshme.

Në këtë rast, mendoj se ndarja e Prokurorëve Publikë nuk është e mirë. Prokurori publik është organ i pavarur dhe në këtë rast, sjellja e vendimeve kolektive se çfarë do të ndodhë me akuzën, nuk është e mirë. Prokurori që e ka filluar akuzën, duhet të vendosë se çfarë do të ndodhë me të, gjithmonë duke u bazuar në fakte dhe dëshmitë, pra për të parë se a ka tentim për vrasje ose ka motiv për ndonjë vepër tjetër penale- theksoi ai.

Edhe avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiç dje kërkoi që akuza që i është ngritur Boban Iliqit të mbetet e njëjtë dhe që lënda të mbesë në duart e gjykatës pa ndërhyrjen dytësore të Prokurorisë së Lartë dhe asaj Republikane. Sipas juristëve, me ndryshimin eventual të akuzës nga “vrasje” në “aksident trafiku me pasojë vdekjen”, Boban Iliq rrezikon të dënohet me dënim maksimal prej 4 vite burg nëse i njëjti nuk e pranon veprën që i ngarkohet, ose të shpëtojë me dënim minimal prej vetëm dy vitesh burg nëse e pranon fajin. / Alsat-M