Alimit i vazhdohet paraburgimi

Abdylfeta Alimit i dyshuar për “cenim terrorist të rendit kushtetues” për 27 prillin e përgjakshëm të vitit kaluar i vazhdohet masa e paraburgimit para skadimit të paraburgimit aktual. Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit tij nën arsyetimin se i njëjti mund të ndikojë në hetim.
Alimi dyshohet për mos veprim, përkatësisht për mos pengimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët dyshohen të kenë hapur dyert e Kuvendit. Megjithatë ligji për Parlamentin përcakton qartë dispozitat kur nëpunësit e sigurimit në Kuvend mund të marrin masa ndaj deputetëve. Sipas nenit 236, nëpunësit e sigurimit nuk mund të ndërmarrin masa ndaj deputetëve pa lejen e kryetarit në Kuvendit. Avokatja Artene Ademi thekson se vendimi ka prapavijë politike dhe se të njëjtin do ta ankimojë në Këshillin Penal, njofton Alsat-M.

“Vetë vendimi për vazhdimin e masës së paraburgimit 16 ditë para skadimit të afatit të paraburgimit aktual, lenë hapësirë dyshimi se kemi të bëjmë me një vendim tendencioz dhe me prapavijë politike. Sigurisht që me afatin e paraparë prej 48 orëve do të ankimojmë vendimin, do të kërkojmë seancë publike si dhe do të kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të dyshuarit Abdylfeta Alimi”, tha Artene Ademi, avokate e Abdylfeta Alimit.