Ali Ahmeti uron qytetarët e Maqedonisë me rastin e marrjes së ftesës për në NATO


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti përmes faqes që tij në Fejsbuk ka uruar, qytetarët e Republikës së Maqedonisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.

“Kam kënaqësinë e veçantë që të uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO që paraqet arritje të madhe dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e sigurt të vendit tonë”, është shprehur Ahmeti.

Ai ka shtuar se integrimi euroatlantik ka qenë udhërrëfyes i aktivitetit të tyre politik dhe shoqëror që nga fillet e veprimtarisë së tyre e deri më sot dhe përkushtimi, siç shton, konsistent drejt realizimit të këtij synimi, pa e humbur përqendrimin për asnjë çast, ka rezultuar me sukses të përbashkët.

“Integrimi i plotë i vendit tonë, por edhe i rajonit në NATO e bën lirinë tonë të plotë, mundëson siguri, stabilitet, paqe të qëndrueshme, marrëdhënie të mira ndëretnike, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore”, ka shtuar më tej lideri i BDI-së.