Aleanca për Shqiptarët: Falja kthen Maqedoninë mbrapa


Pas dorës së zgjatur të kryeministrit Zaev për falje dhe pajtim me opozitën, Aleanca për Shqiptarët ka dalë kundër duke thënë se ky hap do të kthente Maqedoninë mbrapa në sistemin e kaluar.

Zëdhënësi i ASH Flakron Bexheti tha për televizionin Shenja se institucionet shtetërore aq me tepër ato gjyqësore në një shtet demokratik sic pretendon të jetë Maqedonia dhe që ka aspiratë për tu integruar në BE dhe NATO, duhet të jenë të pavarura nga ndikimet partiake, por edhe nga vetë Kryeministrit.

“Në këtë rast Kryministri Zoran Zaev nuk ka të drejt morale, por edhe kompetencë institucionale të falë asnjë të dënuar dhe të akuzuar për ngjarjet e 27 Prillit, por edhe për raste tjera, përkundrazi duhet të sigurojë paanshmëri, dhe pavarësi të plotë të pushtetit të drejtësisë, të cilët duhet të mundësojnë funksionimin e shtetit të së drejtës duke sanksionuar të gjithë kryerësit e veprave penale, që shkelin ligjin. Në të kundërtën cdo ndikim politik i kësaj Qeverie dhe i vetë kryministrit ndaj sistemit të drejtësisë, do ta kthente Maqedoninë mbrapa, duke na kujtuar qeverisjen e kaluar, ku ndodhën edhe shumë procese të montuara gjyqësore-politike, të porositura nga vetë pushteti”, shkruan në përgjigjen me shkrim zëdhënësi i ASH, Flakron Bexheti.