Aleanca dhe Besa- së bashku apo të ndara në të ardhmen?


Partitë politike të opozitës shqiptare po mobilizohen, thonë se janë të përgatitura mirë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që të mbahen, por ende nuk kanë vendosur se a do të bëjnë koalicion. Edhe nga njëra por edhe nga tjetra parti thonë se edhe vet, pa bashkëpunuar ndërmjet veti do të jenë fitues në zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo, anketa e fundit e realizuar nga ,,M-prospekt“, nuk thotë ashtu, ajo përsëri nxjerr fituese BDI-në me 5,1 përqind, e ndjekur nga Aleanca për Shqiptarët me 4,2 përqind dhe Lëvizja Besa me 2,1 përqind.

Nëse bëhet një analizë e thjeshtë, opozita shqiptare e bashkuar  mund  të mposhtë BDI-në, e kjo mund të ndodhte edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 dhe në ato lokale të vitit 2017. Por e gjithë kjo nuk pati sukses për shkak të mungesës së kapaciteteve koalicionuese nga ana e partive opozitare shqiptare. Mos-suksesi për të gjetur gjuhë të përbashkët i’a mundësoi BDI-së edhe një mandat. Kjo le përshtypje se tek partitë politike shqiptare edhe më tutje dominon kompleksi se cili do të udhëheq dhe cili do të jetë lider i koalicionit.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se pavarsisht bashkëpunimit me ndonjë parti tjetër politike, sipas sondazheve të agjencive me relevancë por edhe atyre të brendshme partiake e kanë kaluar BDI-në dhe se janë partia e parë në kampusin politik shqiptar. Zëdhënësi i kësaj partie, Flakron Bexheti thotë se si parti gjithmonë kanë qenë të hapur për bashkëpunim me forca tjera politike, por se tani është herët për koalicionime.

,,Jemi të bindur se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kurrë do që të mbahen do të fitojmë pa mëdyshje verdiktin e votuesve shqiptar, të cilët pas dy dekadave qeverisje të BDI-së kanë shumë arësye të bëjnë ndryshimin e domosdoshëm, për një përfaqësim më dinjitoz, me kuadro të përgaditur, dhe programe politike, që do ta risin nivelin e përfaqësimit, ashtu sic meritojnë votuesit shqiptar. Sa i përket bashkëpunimit me forca tjera politike shqiptare, e kemi dëshmuar deri tani se kemi qenë korrekt dhe të hapur gjithmonë për bashkëpunim me forca politike, të cilët e kanë me gjithë mend ta bejnë ndryshimin dhe tu sigurojmë qytetarëve nje jetë më mirë, se kjo tani. Megjithatë tani është herët për këto kalkulime dhe koalicionime, e vërteta është se ASH për cdo ditë po rritet dhe po fiton simpatinë e elektoratit shqiptar e cila pritet të dëshmohet ne zgjedhjet e ardhshme parlamentare“, theksoi zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.

Thuajse njejtë thonë edhe nga Lëvizja Besa. Ata janë të bindur se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare vet apo me një bashkëpunim opozitar do të fitojnë në kampin politik shqiptar. Zëdhënësi i kësaj parti, Elmedin Memishi theksoi se angazhimi serioz i tyre, ka ndikuar në ringritjen e peshës politike, të ngjajshme me atë të vitit 2016, kur Besa ishte shumë afër fitores.

,,Është e sigurtë se, edhe në sondazhet interne që i bëjmë ne, dëshmojnë se përkrahja e opozitës shqiptare, krahasuar me BDI-në është shumë më e madhe, se sa në sondazhet që publikohen. Ne do të vazhdojmë përgatitjen dhe strategjinë tonë, konform përcaktimit nga Kryesia Qendrore dhe jemi të bindur se në zgjedhjet e ardhshme, qoftë vet apo me një bashkëpunim opozitar, do të dalim fitues në kampin politik shqiptar. Në këtë periudhë fokusimi jonë është prezenca sa me e madhe në mesin e popullit pasi që nga aty buron forca reale politike, ndërsa sa i përket bashkëpunimeve të mundshme do i vlersojmë në kohën e duhur, konform pritshmërive të elektoratit shqiptar“, tha Memishi.

Sela dhe Kasami në zgjedhjet presidenciale me përkrahjen e Blerim Rekës për president treguan se dijnë dhe munden të bashkëpunojnë, por se a do të vazhdojnë në këtë mënyrë apo përsëri nuk do të gjejnë kompromis si në vitin 2016-të, mbetet të shihet në të ardhmen.

Armend Murseli