Albulena Jashari: Fatkeqësi, të rinjve u është infektuar veshi me muzikën e sodit!


Albulena Jashari, vajza simpatike dhe e talentuar nga Prishtina, është një nga kantautoret më premtuese të muzikës shqiptare! Si disa artistë si ajo, është shumëdimensionale, me një jetë të ndarë mes muzikës dhe pikturës, e kjo është sigurisht një cilësi që e dallon. Larg të qenit vetëm një performuese, Albulena, ndërsa bisedon me të, ngjason me një vajzë të jetuar, krahasuar me moshën e saj të re. E sigurt, kjo të bën të mendosh se, ajo do të ketë një rrugë të gjatë përpara, sepse ka një anije shpëtimi me vete, aftësinë për të qenë këmbëngulëse përpara vështirësive. Ky rrëfim posaçërisht për Albanian Free Press, na njeh më nga afër me artisten e kompletuar me ëndrra misterioze.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani 

Kur ka nisur pasioni yt për muzikën?

Kam qenë e vogël dhe jam rritur në një mjedis ku është ndëgju muzika. Kisha inspirim motrën dhe vëllaun që janë më të mëdhenj se unë, të cilët merreshin me muzikë dhe e kishin vetëm hobby. Kam marrë pjesë në shumë aktivitete që organizoheshin në shkollë atë kohë dhe ky pasion filloi vetëm të rritet dhe të zërë një pjesë e veçantë në jetën time.

Keni pasur mbështetjen e familjes në fillimet tuaja?

Familjarët ishin pikërisht ata që më përkrahën në çdo moment dhe më motivuan që të vazhdoj me muzikën, pa marrë parasysh të gjitha barrierat. Babi dhe motra ishin ata që më motivonin më së shumti dhe më jepnin këshilla të vyera.

Sa të vështira kanë qenë fillimet tuaja?

Rruga e muzikës, edhe pse në sy të të tjerëve duket e këndshme dhe e lehtë, mendoj se hyn në kategorinë e punëve më të vështira. Dashuria shumë e madhe ndaj muzikës, gjë e cila është bërë pjesë e jetës time, më shtyu që asnjëherë të mos dorëzohem dhe të ndjek ëndrrën. Është gjëja më e bukur e jetës time!

E mban mend herën e parë në skenë?

Isha në moshën 14-vjeçare kur formova një band dhe bënim muzikë live, nëpër lokale të ndryshme në Prishtinë. Edhe pse për mua ishte pothuajse fillimi, përsëri kur ngjitesha në skenë, kisha vetëbesim dhe më dukej se e pushtoja skenën. Emocionet gjithmonë janë pjesë e imja, një gjë shumë natyrale. Por kur dal në skenë, të gjitha ato emocione përçohen te njerëzit dhe krijohet energji mjaft pozitive.

Na trego diçka nga jeta jote e përditshme …

Kam përfunduar Fakultetin e Arteve dhe kam një master në grafikë. Kohët e fundit merrem mjaft me pikturën, fushë në të cilën kam patur rastin të realizoj dy ekspozita personale, njërën në Tiranë dhe tjetra në Prishtinë. E dua shumë jetën dhe gjërat që bëj, sepse bëj ato që më bëjnë të ndihem e gjallë, pasionante. Po ashtu, muzika, sporti, piktura dhe udhëtimet nëpër vendet që më pëlqejnë.

Sot muzika është pushtuar nga rryma të reja. Si e shikon ndikimin që ka kjo në publik?

Mendoj se, sot muzika ka vetëm një zhanër, vetëm një stil dhe nuk shoh diçka unike. Muzika thjesht është bërë biznes dhe nuk shijohet më siç kemi bërë vite më parë. Gjithçka është e shpejtë dhe e përkohshme. Këngën e fundit që kam interpretuar, e cila titullohet “Njerëzit”, me të cilën isha pjesëmarrëse në festivalin “Kënga magjike 2017”, mendoj se është një këngë e thellë, që nuk vdes kurrë dhe një tematikë që do ta prekte çdo njeri. Fatkeqësi është se, nuk ka tek ne publik për atë këngë, sepse të rinjve u është infektuar veshi me muzikën e sodit!

Si po rrjedh karriera?

Kam eksperimentuar shumë me muzikë dhe me zhanre. Këngët e mia janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe më pëlqen kur të tjerët i cilësojnë si të veçanta dhe origjinale. Jam ende duke punuar në projekte të reja.

Ke ndonjë pasion të veçantë, përveç muzikës?

Pasion kam dhe të bëj “yoga”, të cilën e praktikoj çdo mëngjes; gjithashtu edhe pikturën, siç e kam cekur më lart. Janë gjëra që më kompletojnë.

Ke ndonjë ëndërr që ende pret ta realizosh në muzikë?

Kam një ëndërr, të cilën nuk do ta zbuloj, por shpresoj të realizohet dhe do ta zbulojë koha …

Duhet kurajë të jesh kantautore femër?

Është kënaqësi kur një këngëtar ka edhe ketë dhunti! Të jesh kantautor do të thotë të jesh këngëtar dhe artist i kompletuar. Ajo e bën veprën origjinale dhe të veçantë.

Kur je e lodhur, ku gjen prehje më shumë?

Kur jam e lodhur e përqafoj shtratin , aty gjej prehjen dhe qetësinë! Gjithashtu, më pëlqen të kaloj kohë vetëm në dhomën time.

Sa mendon se kanë ndihmuar interpretimet në konkurse të këngës?

Mendoj se festivalet janë përvojë e mirë për mua, Të dalësh dhe të këndosh live në festival, në një skenë aq gjigante, me një numër të madh spektatorësh, është përgjegjësi e madhe. Nuk është si puna që bëj kur këndoj në lokale nate. Interpretimet e mia janë vlerësuar lart, nga njerëz profesionistë.

Çfarë shije ka jeta jote në këto momente, e ëmbël apo e thartë?

Sa më shumë vite kalojnë, aq më e lumtur po ndihem. Tani jam në një moshë që e di me të vërtetë çfarë dua dhe çfarë bëj. Kam kaluar nëpër vështirësi të cilat i vlerësoj, sepse kanë qenë mësim i mirë për jetën. E shijoj çdo gjë, mundohem të jetoj çdo sekondë dhe të shpërndaj dashuri tek të tjerët. Vazhdimisht, ëndërroj dhe krijoj plane për të realizuar gjërat që dua.

Për çfarë do të luftoje më fort?

Sikur mos ta kisha, do të luftoja për lirinë dhe s’do të kisha lejuar askënd të ma cenonte atë! Do të luftoja edhe për dashurinë. Të dyja bashkë, janë lumturi./Albanian Free Press