Aksioni “Pasaporta”, arrestohen 9 persona


Nëntë persona janë arrestuar në aksionin policor të koduar si “Pasaporta”, në të cilin u shpartallua grupi kriminal që kontrabandoi me emigrantë përmes falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski tha se grupi i akuzuar për veprën penale tregti me njerëz, fëmijë dhe kontrabandë me emigrantë ka dërguar rreth 50 persona nga Maqedonia e Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, me ç’rast ka përfituar rreth 1 milion dollarë. Aksioni sipas Spasovskit u realizua në koordinim me Prokurorinë Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Ambasadën e SHBA-së në Shkup, Europolin, Selekun, policinë e Shqipërisë, Austrisë, Spanjës dhe Bullgarisë.

-Hetimi kundër krimit u realizua gjatë 18 muajve të kaluar. Grupi kriminel nga Maqedonia u identifikua si pjesë e rrjetit të organizuar kriminel ndërkombëtar, të përbërë nga bashkëpunëtorë nga Shqipëria, Bullgaria, Spanja, Republika Dominikane, Hondurasi, Guatemala dhe Meksiko. Anëtarët e këtij grupi kriminel organizuan kontrabandë të më shumë grupeve të emigrantëve ilegalë me prejardhje nga Maqedonia dhe Shqipëria, me destinacion të fundit SHBA-në dhe Kanadanë. Kontrabandën e organizuan për persona që nuk mund të fitonin vizë për udhëtim në mënyrë legale drejt destinacioneve të përmendura dhe nga të njëjtët kërkuan dhe fituan kompensim në para prej 20 000 deri në 25 000 dollarë për person”- u shpreh Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.