Ahmeti: Sot qytetarët ia deleguan vendimarrjen deputetëve të Kuvendit


Edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti në një press konferencë ka theksuar se nëse deputetët e opozitës nuk pajtohen që të ketë ndryshime kushtetuese, atëherë do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ahmeti tha se sot qytetarët ia deleguan vendimarrjen deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë.

“Dita e sotme ishte një ditë shumë e rëndësishme për vendin tonë, uroj qytetarët e RM-së, institucionet dhe gjitha partitë që kontribuan për mbajtjen e referendumit. Sot ne zhvilluam kapacitetet për një vend me pretendim për integrim në NATO dhe BE. Ky proces i reformave të barazisë garanton paqe të qëndrueshme, marrëdhënie të mira, investime. Unë dhe BDI kemi thënë që vendimmarrja i takon institucioneve të vendit. Sot qytetarët e vendit ia deleguan vendimmarrjen Kuvendit të Maqedonisë dhe deputetëve. Ne jemi të zgjedhur që të marrin vendime të rëndësishme dhe jo të kalkulojmë për zgjedhjet e ardhshme. Me vendin tonë në Kuvend ne përcaktojmë të ardhmen e vendit tonë dhe Evropës Juglindore. Në zgjedhjet e fundit ne u zotuam për zhvillim ekonomik dhe prosperitet. Kjo përbërje e Kuvendit ka mandat për zgjidhjen e çështjeve me fqinjeve dhe me vendimet e tyre sot qytetarët deleguan vendimmarrjen tek deputetët dhe institucioneve të vendit”, tha mes tjerash Ahmeti.