Ahmeti: Shpallja e pavarësisë dhe Flamuri kombëtar, mbajtën gjallë shpirtin dhe palcën e kombit


Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në fjalimin e tij në Akademinë solemne të mbajtur në Shkup, në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit, ditës së Flamurit shqiptar tha se e periudha deri tek shpallja e pavarësisë dhe flamuri kombëtar, mbajtën gjallë shpirtin dhe palcën e kombit.

“Historia e jonë e bujshme e lavdishme nuk u mposht, nuk u harrua nga bijtë, bijat e veta, tani ndryshimet i bëmë vetë, luftën e bëmë vetë, u jemi mirënjohës miqve tanë ndërkombëtarë, NATO-s, BE-së SHBA-së për ndihmën e përkrahjen për të drejtën e mohuar me shekuj për ne shqiptarët, ne fituam luftën për liri dhe në diplomaci dhe politikë, tani përgjegjës për të ardhmen jemi ne shqiptarët sesi do i drejtojmë gjërat”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, Skënderbeu dhe periudha e tij, flamuri kombëtar, Rilindja Kombëtare, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, dëshmorët e kombit, të burgosurit politik, luftëtarët e lirisë dhe UÇK- ja e Kosovës bashkë me dy të bijat UÇK-në dhe Ushtrinë e Medvegjës e Bujanovcit, kanë qenë dhe do të jenë faqet më të goditura nga qarqet antishqiptare, sepse që nga Skënderbeu, periudha e tij deri tek shpallja e pavarësisë dhe flamuri kombëtar mbajtën gjallë shpirtin dhe palcën e kombit.