Afrim Gashi kandidat për kryetar i Lëvizjes Besa?


Përderisa rikandimi i Bilall Kasamit tashmë është çështje e ditur që kur u mbajtën dy mbledhjet e paralele të Kuvendit Qendror, në krahun tjetër emri më i preferuar dhe i mundshëm është Afrim Gashi, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA nga krahu i Shkupit, mëson gazeta Koha.

“Zyrtarisht Afrim Gashi ende nuk ka dorëzuar kandidaturën për kryetar deri tek Komisioni zgjedhor, por në strukturat partiake flitet tashmë një kohë se ai do të jetë kandidati i vetëm për kryetar i Lëvizjes BESA. Deri më tani zgjedhja nëpër dege ka mbaruar mbi 90 % ka mbetur vetëm dega e Kumanovës. Presim të mbarojë përzgjedhja e delegatëve për Kongres dhe më pas deputeti Afrim Gashi të shpallë kandidaturën”, thonë zyrtarë të Lëvizjes BESA që deshëm të mbeten anonim për momentin. Në pyetjen nëse kryetari i komunës së Zheline Blerim Sejdiu do të jetë pjesëmarrës në kongres këta zyrtare thonë se për momentin ai do të mbetet neutral ndërsa janë të sigurt për pjesëmarrjen e Amir Elezit ish kandidatit të kësaj partie për komunë e Tearcës. Gjithashtu në Kongresin që po organizon Grupi i Nexhemedin Kahremanit në anën e tyre do të jetë edhe Arben Llabunishti gjë që konfirmohet edhe nga grupi Bilall Kasamit.

“Komplet dega e Strugës është me neve, përveç Arben Llabunishtit, ajo dhe do të delegojë së shpejti njerëzit e tyre në Kongresin vetëm legal dhe legjitim të lëvizjes BESA që do të mbahet sipas datës së paraparë të vendosur nga Kuvendi më 24 shkurt. Përveç Strugës zgjedhjet në nivel degësh do të mbarojnë këto ditë edhe në Gostivar dhe në Tetovë dhe deri më 20 shkurt do të përfundojë tërë procesi zgjedhor”, thonë për gazetën KOHA zyrtarë të lartë partiak nga grupi i Bilall Kasamit. Të njëjtit thonë se kryetari i Zhelinës sipas informatave të fundit që kanë do të jetë pjesëmarrës në Kongres.”Sipas statutit funksionarë të lartë shtetëror, ministra, deputetë dhe kryetar komunash automatikisht do të jenë pjesë Kongresit dhe pjesë e Kuvendit Qendror. Është e vërtetë se Blerim Sejdiu ka qenë neutral deri më tani, por sipas informatave të fundit që i kemi edhe do të jetë marrë pjesë në Kongres.