Aeroporti dhe përmendoret, heshtje në Qeveri


Pas takimit të mbrëmshëm të dy kryeministrave, Zoran Zaev e Aleksis Cipras ku u theksua angazhimi kundër irrendentizmit, asnjë informacion nuk jepet nga Qeveria për ndryshimin e mundshëm të Kushtetutës, as për heqjen e përmendores së Aleksandrit të Madh e as për rishikimin e librave të historisë. Nga Qeveria nuk japin asnjë informatë nëse të njëjtat ishin temë e negociatave të mbrëmshme e as nëse mund të presim që të ndërmerret diçka në këtë drejtim. Madje akoma nuk është vendosur se kur do të ndryshohet emri i aeroportit dhe i autostradës, siç paralajmëroi Zaev. Nga Qeveria thjeshtë na thanë se kjo do të ndodhë shumë shpejtë dhe se do të informojnë në kohë. Zaev e kishte siguruar homologun grek se do të ndërmerr iniciativa të guximshme për të luftuar irredentizmin, ndërsa Ciprasi se do ta mbështesë Maqedoninë në proceset euro-integruese.

“Zgjidhja përfundimtare duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët. Patjetër të kujdesemi për interesat tona dhe të tyre. Zgjidhja duhet të jetë mbrojtëse e dinjitetit nacional dhe identitetit të popujve tanë, me qëllim që konkretisht të tregojmë se jemi të përkushtuar në procesin e gjetjes së zgjidhjes. Ju njoftoj se Qeveria do ta ndryshojë emrin e aeroportit dhe autostradës. Autostrada do të quhet “Miqësi”. Aktivitetet tona dëshmojnë vullnetin tonë dhe faktin se nuk kemi kurrfarë aspirate territoriale ndaj fqinjit tonë. Nga ana tyre do ta tregojnë vullnetin e mirë dhe do të na lejojnë ta zhvillojmë bashkëpunimin tonë me Bashkimin Evropian dhe me organizata të tjera ndërkombëtare”, tha Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë.

Fillimi i fazës së dytë të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim në përkthim nënkupton përmbushjen e obligimeve nga ana e Maqedonisë për thellimin e negociatave për anëtarësim. Ndërkaq me pak fjalë, anëtarësimi në BE dhe në NATO janë vetëm disa nga dobitë e anëtarësimit në Iniciativën e Jonit dhe Adriatikut. Por a Greqia është e vendosur ta ndihmojë Maqedoninë të ecë drejt strukturave euro-atlantike dhe a ekziston mundësia që të lejojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO me referencën e përkohshme IRJM e të mos e bllokojë edhe në samitin e ardhshëm të NATOs në fillim të verës, mbetet periudha e ardhshme t’iu jep përgjigje këtyre dhe shumë pyetje të tjera që dolën nga takimi I mbrëmshëm 2 orësh në Davos të Zvicrës.

“Deklaroj se në këto baza do t’i mbështes iniciativat që i përgatit edhe shteti im, për Iniciativën e Jonit dhe Adriatikut dhe promovimit të ratifikimit të fazës së dytë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në Parlamentin Grek. Ne duhet të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet tona të pazgjidhura. Procesi euro-atlantik dhe integrimi në BE mund të ecin përpara, prandaj dua të bëj të qartë se duhet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, Erga Omnes. Në këtë kornizë ne jemi marrë vesh ta intensifikojmë procesin negociues që po zhvillohet nën BE-në, në mënyrë që të arrijmë zgjidhje për emrin”, u shpreh Aleksis Cipras, Kryeministër i Greqisë.

Të shtunën pritet të mbahet takim mes liderëve të partive politike dhe Presidentit Gjorge Ivanov, për të diskutuar mbi kornizën e ofruar nga ndërmjetësi Nimic në takimin e fundit me negociatorët por edhe për takimin e dy kryeministrave Zaev e Cipras. Ndërsa më 31 janar në Shkup pritet të qëndrojë ndërmjetësi i OKB-së Methju Nimic, i cili do të takojë krerët e shtetit.