“Adriatiku”, mbështetje për anëtarësim në NATO


Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov ia dorëzoi udhëheqësinë e Kartës së Adriatikut homologut të tij malazez, Sërgjan Darmanoviq. Të gjithë ministrat e rajonit riafirmuan nevojën e bashkëpunimit të ndërsjellë që të rrumbullakësohet procesi i integrimit euro-atlantik të rajonit. Dimitrov theksoi se ashtu siç u anëtarësua Mali i Zi në NATO gjatë kohës kur me Kartën e Adriatikut udhëheqte Maqedonia, pret që Maqedonia të anëtarësohet në NATO vitin e ardhshëm gjatë së cilit me Kartën do të udhëheq Mali i Zi. Darmanoviq tha se Mali i Zi është i gatshëm ta ndihmojë Maqedoninë dhe vendet tjera të rajonit.

“Mendojmë se viti i ardhshëm është vit i mundësive. Maqedonia do të bëjë më të mirën e saj, që t’i shfrytëzojë këto mundësi dhe shpresojmë që ne të jemi pjesa tjetër e mozaikut”, tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

“Fuqishëm besoj se reformat nuk kanë alternativë dhe se janë garantues i historive tona të suksesshme. Kështu ishte rasti me Malin e Zi, që kohën e fundit u bë vendi i 29 anëtar i NATOs. Në këtë takim ne e morëm udhëheqësinë e Kartës nga Maqedonia. Jemi të inkurajuar nga entuziazmi, vullneti politik dhe hapat konkret që Qeveria e Maqedonisë po i merr për t’i arritur aspiratat e saja euro-atlantike. Mali i Zi do t’i jep shtysë këtij procesi”, tha Sërgjan Darmanoviq, Ministër i Jashtëm i Malit të Zi .