Ademi: Dialogu me SASHK-un është korrekt, nuk ka arsye për grevë


Me SASHK-un kemi dialog social korrekt dhe konstruktiv dhe do ta vazhdojmë. Do t’i shqyrtojmë të gjitha të dhënat dhe argumentet dhe në marrëdhënie partnere me Sindikatën do të vendosim si Qeveri për rritjen e ardhshme të pagave të mësimdhënësve, deklaroi ministri Arbër Ademi gjatë vizitës së SHF “Lazo Angellovski” në Lisiçe të Re.

E respekton organizimin sindikal dhe vendimet e SASHK-ut, por si ministër i Arsimit edhe drejtpërdrejt i përfshirë në politikat për krijimin e një sistemi më të mirë kombëtar arsimor e ka për obligim, siç tha, t’u bëjë thirrje nxënësve dhe mësimdhënësve të vijnë në ditën e parë të shkollës dhe më pas u dëshiroi sukses në vitin shkollor vijues.

Për mediat Ademi deklaroi se nuk e di se në sa shkolla mbahet grevë, por se një pjesë e mirë e vitit të ri shkollor ka filluar normal dhe me organizimin e shfaqjeve për nxënësit e klasave të para.

“Nuk kam informacion në sa shkolla po mbahet grevë pasi akoma është herët, por e di se te një pjesë e mirë e shkollave dita e parë e shkollës zhvillohet në mënyrë normale, organizohen shfaqje dhe pres të vazhdojë kësisoj”, deklaroi Ademi në SHF “Lazo Angellovski” të cilën e ka zgjedhur për vizitë në ditën e parë shkollore pasi MASH atje për rikonstruim i ka investuar thuajse 10 milionë denarë.

Sikurse edhe në pres konferencën e djeshme, e përsëriti se nuk ka arsye për grevë pasi Qeveria, siç tha, është e angazhuar fuqimisht për ta përmirësuar statusin e mësimdhënësve dhe se nga gushti 2018 deri në këtë shtator pagat e mësimdhënësve janë rritur mbi 10 për qind me dy rritje nga pesë për qind.

“Ky vit fillon më ndryshe, kemi ligj të ri për arsimin fillor, i cili për herë të tretë pas pavarësimit të vendit është tërësisht i ri dhe i sjellë pa asnjë votë kundër. Kemi Ligj të ri për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional i cili mungonte në shtet. Kemi rritjen e dytë të pagave për një vit për 5 për qind shtesë dhe paga e shtatorit në krahasim me atë të gushtit në vitin 2018 është rritur për 10,8 për qind. Më shumë para për 1,3 miliardë denarë për arsimin fillor dhe të mesëm në vitin 2019 në raport me vitin 2017. Arsim profesional të mesëm tërësisht të reformuar, programe të reja mësimore për lëndë të caktuara dhe investime të reja kapitale në shkollat”, theksoi Ademi.

Ndaj paralajmërimeve të SASHK-ut se greva e sotme paralajmëruese nga tetori mund të bëhet e përgjithshme nëse nuk ka zgjidhje të pranueshme ndaj kërkesës së tyre për paga më të larta deri në 25 për qind, Ademi u përgjigj se nuk pret se do të vijë drejt kësaj, pasi, tha, po shkojnë në drejtim të mirë.

“Pres të mos vijë drejt kësaj. Shumat të cilat i kumtojnë janë tregues i mirë se si po sillemi. Nuk është pak mbi 1,3 miliardë denarë më shumë për arsimin fillor dhe të mesëm për dy vjet. Prandaj nuk ka arsye për organizimin e grevës. Grevë organizohet kur nuk ka zgjidhje, ne kemi dhe ofrojmë zgjidhje. Po shkojmë në drejtimin e duhur, kështu do të vazhdojmë edhe gjatë periudhës së ardhshme”, theksoi Ademi.

Përveç në shkollën “Lazo Angellovksi” ai sot është për vizitë edhe në SHF “Bajram Shabani” në fshatin Kondovë në Saraj, ku, gjithashtu, siç tha, MASH ka investim kapital të rëndësishëm.