A do të bëhet Maqedonia rrëfim suksesi?


VMRO – DPMNE nga njëra anë thotë se do të jetë opozitë kooperative kur bëhet fjalë për bisedimet për çështjen me emrin me Greqinë, dhe kjo është e pritshme që të ndodh nëse para sytë e faktorit ndërkombëtar tani ose në ardhmëri të konsiderohet si partner kredibil, mendon analisti Andreja Stojkovski.

Ndërsa sipas politikologu Xhenis Sulimani, Maqedonia para saj ka proces dhe moment për të cilin kanë ëndërruar shumë struktura të kaluara qeveritare por nuk kanë arritur të njejtën të materializojnë dhe për këtë arsye siç nënvizoi Sulimani, të njejtët bëjnë obstrukcione të procesit.

Më 6 shkurt Bashkimi Evropian do të bënë publike strategjinë për zgjerim, moment ky mjaft i rëndësishëm për Maqedoninë. Por situata e brendshme politike nuk premton shumë. Lideri i VMRO – DPMNE-së Hristijan Mickovski, pas takimit koordinues me Ivanovin, Zaevin dhe Ahmetin paralajmëroi se partia e tij do të luan rol konstruktiv në çështjen me emrin me Greqin, ndërsa e këtë e konfirmoi edhe në takimin me eurokomisarin Johanes Han në Bruksel. Por në shtëpinë ligjvënëse VMRO – DPMNE ngriti më tepër se 35 mijë amendamente dhe do të jetë e pranishme vetëm në seancat ku do të diskutohet për ligjin për përdorimin e gjuhëve, por jo edhe për reformat për të cilët janë të nevojshëm edhe votat e tyre. Opozita shqiptare nga ana tjetër, në krye me Aleancën për Shqiptarët kërkon që edhe ajo të jetë pjesë e takimeve të ardhshme mes liderëve politik përshkak se përfaqësojnë mbi 100 mijë qytetarë. Përveç kësaj, mes partnerëve qeveritar BDI – LSDM ka qëndrime të kundërta rreth çështjes së referendumit për emrin. Partia e Zaevit është e bindur se referendum duhet të ketë, ndërsa në kundërshtim me këtë BDI-ja e Ahmetit mendon se kjo çështje duhet të përmbyllet në të njejtën mënyrë siç u përmbyll Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.

Analistët janë të njëzëshëm se tani është momenti i vërtetë kur të gjithë politikbërësit të cilët ia dëshirojnë të mirën Maqedonisë duhet të dëshmojnë pjekuri politike dhe me hapa të guximshëm ti hapin dyert e BE-së dhe NATO-së.


Duke komentuar situatën aktuale politike dhe qëndrimet e partive, Andreja Stojkovski nga Qendra për strategji evropiane Eurothink vlerëson se politikanët asesi nuk mund të dalin nga hijet e veta dhe të vërejnë fotografinë më të madhe. Sipas tij, tani është momenti kyç kur liderët politik duhet të mendojnë për shtetin.

“Në Maqedoni numri më i madh i politikanëve nuk mund të rriten dhe të dalin nga hija e tyre. Të gjithë funksionojnë në kuadër të hijeve të tyre dhe asnjëri prej tyre nuk dëshiron të shikon fotografinë më të madhe. Punë të tilla do të ndodhin, mirëpo nuk duhet të ndodhin kur të njejtët dëmtojnë shtetin. Më gjashtë shkurt do të publikohet strategjia për zgjerim nga ana e BE-së, ndërsa pritjet tona janë që të jemi pjesë e zgjerimit. Jo vetëm kaq, por presim të jemi të nënvizuar si shtet i cili ka potencijal të bëhet pjesë e BE, sipas paralajmërive, deri më vitin 2025. Politikanët në Maqedoni nuk duhet të merren me polemika lokale, por të diskutojnë për nevojat e shtetit. Unë nuk kam asnjë problem që të aprovohet ligji për përdorimin e gjuhëve që në gjashtë muajt e parë të vitit, kjo me siguri edhe mund të realizohet, por duhet të jemi të vëmendshëm në çasjen. Nëse gjashtë shkurti ose raporti i progresit nuk mvaren aq nga ligji i gjuhëve, atëherë mund të lejojmë që ky ligj të miratohet pas shpalljes publike të raportit të Komisionit Evropian”, tha Stojkovski.

Me ngritjen e më tepër se 35 mijë amendamenteve, sipas Stojkovskit, VMRO – DPMNE është në kundërshtim me deklaratat e kryetarit të saj pas takimit me liderët në Shkup si dhe takimin me Han në Bruksel, kështuqë nëse kjo parti dëshiron përkrahjen e faktorit ndërkombëtar dhe nëse shpreson të rikthehet në qeveri, do të duhet patjetër të ndryshojë veprimin politik.
“Pas takimit koordinativ të liderëve, kreu i VMRO – DPMNE-së paralajmëroi se partia e tij do të jetë konstruktive sa i përket çështjes së emrit, dhe kjo prej saj nga ana e faktorit ndërkombëtar edhe pritet. Këtë patjetër ta dëshmoj tani, duke bërë sakrifica në emër të çështjes së emrit. Mirëpo me anë të ngritjes së 35 mijë amendamenteve VMRO – DPMNE minon kredibilitetin e saj në korrniza lokale. Po, ata ndoshta do të përkrahen nga Maqedonasit, mirëpo asnjëherë prej Shqiptarëve. Ky hap shkatërron kapacitetin e tyre për koalicionim dhe me këtë edhe kapacitetin për qeverisje në korrnizë të shtetit”, përfundoi Stojkovski.


Politikologu Xhenis Sulimani për “Nezavisen Vesnik” deklaroi se politikanët vendas nuk duhet të lejojnë që polemikat e brendshme politike të jenë prioritet, sepse nëse kjo ndodh atëherë Maqedonia në periudhën vijuese do të ballafaqohet me izolim të tërësishëm.

“Maqedonia është para një procesi shumë të rëndësishëm politik. Momentum ky për të cilin kanë ëndërruar shumë garnitura të mëhershme qeverisëse, por nuk kanë arritur. Prandaj, tani lindin turbulenca politike, pikërisht nga ata që nuk ishin të shkathët ta sjellin Maqedoninë në këtë proces. Për Maqedoninë gjithmonë ka qenë sfidë NATO dhe BE, si dhe kriteret e parapara nga po këta organizata politike.
Retorika e VMRO-DPMNE kundër gjuhës shqipe po e rritë gjuhën e urrejtjes në vend. Kështu po fiton në peshë edhe nacionalizmi maqedonas. Edhe pse VMRO është e vetëdijshme se nacionalizmat nuk e dërgojnë në NATO dhe BE. Këto veprime më tepër thellojnë ndarjet partiake në Maqedoni se kush është pro perëndimit dhe kush është pro Rusisë. Këto të fundit do të tentojnë me çdo kusht që të ketë eskalim të situatës në Maqedoni, me të vetmin qëllim që Maqedonia të mos jetë pro perëndimore.
Inkluziviteti është i patjetërsueshëm për cdo vendim shtetëror. Por, këtë rregull VMRO nuk guxon ta keqpërdor për qëllime regresive, sikur po vepron deri më tash. Mendimi im është se tash është momenti më i mirë për sigurimin e perspektivës, nëse edhe tash Maqedoninë e fitojnë turbulencat e brendshme politike dhe e frenojnë drejt eurointegrimeve, periudha e ardhshme do të jetë në izolim total”, deklaroi Sulimani.

Blerim Ismaili