Diaspora e pa interesuar për referendum, Verëm 2437 fletëvotime të paraqitura


Mbikëqyrja publike në Listën zgjedhore dhe paraqitja e diasporës për votim në referendum për më 30 shtator përfundon sonte në mesnatë. Deri 6 orë para mbylljes së këtij afati, nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor njoftojnë se janë paraqitur gjithsej 2,437 fletëparaqitje nga qytetarët në përfaqësitë diplomatike-konsullore të Maqedonisë në diasporë, ku referendumi do të mbahet 1 ditë më parë se në Maqedoni, përkatësisht më 29 shtator. Sipas zëdhënëses Ljupka Guguçevska, prej këtyre fletëparaqitjeve 2,392 janë pranuar, kurse 39 janë refuzuar.

“Numër më të madh të fletëparaqitjeve për votim janë në Bernë me 256, në Lubjanë 213, në Londër 127, në Toronto 136, Vienë 108, Kanbera 99 e kështu me radhë. Deri më tani interes më të ulët nga qytetarët tanë kemi në Talin, Kiev dhe Prishtinë, ku janë paraqitur të votojnë vetëm nga një person. Pastaj, Nju Dehli, Kajro dhe Sarajeva, ku janë paraqitur vetëm nga dy persona”, deklaroi Ljupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.

Nga zyra për informim e KSHZ-së thonë se deri më sot janë akredituar vetëm dy organizata për monitorimin e referendumit. Fondacionit ndërkombëtar për sisteme zgjedhore “IFES” dhe Asociacionit qytetar “MOST”, pritet që t’ju bashkëngjiten edhe institucione tjera monitoruese, jo më vonë se një javë para referendumit. Nga “MOST” shprehen të gatshëm se me rreth 3 mijë monitorues do të përfshijnë të gjitha pikat nëpër Maqedoni ku do zhvillohet referendumi.

“Asociacioni qytetar “MOST” ka filluar përgatitjet për monitorimin e referendumit. Tanimë po vëzhgojmë edhe punën e KSHZ-së si organizator i referendumit. Do të angazhohen edhe monitorues afatgjatë që do të vëzhgojnë punën e Komisioneve komunale zgjedhore, por do ta monitorojnë edhe fushatën. Sigurisht, si çdo herë do të monitorojmë edhe ditën e 30 shtatorit në të gjitha vendvotimet”, tha Zllatko Dimitrioski, Asociacionit qytetar “MOST”.

Lidhur me të dhënat nga mbikëqyrja publike në Listën zgjedhore, deri në orën 18, mbi 15 mijë qytetarë kanë bërë verifike on-line, kurse rreth 5 mijë qytetarë kanë kryer mbikëqyrjen e të dhënave në Zyrat rajonale të KSHZ-së brenda Maqedonisë. Numër më i madh i qytetarëve kanë kryer mbikëqyrje në Strumicë – 509 dhe Manastir – 454, pasojnë Komuna e Karposhit – 431 dhe Ohri – 289. Sipas KSHZ-së janë dhënë 19 vendime për regjistrim, 125 vendime për shlyerje dhe 24 vendime për ndryshime në listën zgjedhore. Në listën zgjedhore janë të përfshirë 1,805,707 qytetarë, por nga institucioni organizues i referendumit thonë se shifra përfundimtare do të definohet pas ndryshimeve të listës zgjedhore që do bëhet deri më 7 shtator.