24 orë në shqip, TVM2, TVM2sat, Radio “Shkupi”, Ibrahimi: Punësime të reja për programe cilësore


Ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për shërbime audio dhe audio-vizuele saktësojnë funksionimin në të ardhmen të TVM2 – kanalit televiziv me emetim 24 orësh në gjuhën shqipe pranë Servisit Publik, kthimin e Radio “Shkupit” në një kanal të veçantë me emetim programor 24 orë në gjuhën shqipe, si dhe emetim të pandërprerë 24 orë në eter të Programit Satelitor në gjuhën shqipe.

Zëvendësdrejtori i RTM-së, Harun Ibrahimi, thotë se me ndryshimet e reja parashikohet edhe ndarja e mjeteve financiare të nevojshme për cilësinë programore të TVM2 dhe Radio “Shkupit”, por dhe kanaleve të reja për etnitetet joshumicë.

“Me ndryshimet ligjore parashikohet të autorizohet Këshilli Programor, që me akt të veçantë ligjor të gjejë formën e financimit të serviseve radio dhe televizive, që në të ardhmen TVM2 dhe Radio 3 të mund të menaxhojnë me mjetet të cilat do t’i caktojë apo do t’i ndajë Këshilli Programor”,- deklaroi zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTM-së, Harun Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, padyshim i një rëndësie të veçantë është ekipimi me resurse njerëzore dhe teknologji të re, që do të mundësojë emisione të reja cilësore në programet e reja 24 orëshe në gjuhën shqipe, si në radio ashtu edhe në televizion.

“Kur shtohen orët programore, si në radio ashtu edhe në televizion, atëherë patjetër, përveç punësimeve, duhet të kemi edhe përgatitje të pajisjeve tekniko-teknologjike që të mund me sukses të realizohen këto, pasi me automatizëm në momentin kur të kemi një servis të veçantë në gjuhën shqipe, duhet të kemi një servis tjetër në televizion për bashkësitë e tjera më të vogla etnike. E njëjta do të ndodhë edhe në radio dhe këtu patjetër të kemi punësime, por edhe pajisje teknike të cilat besoj se do t’i plotësojnë standardet që të kemi servise, përveç në gjuhën shqipe, edhe në gjuhën e bashkësive më të vogla etnike, si në radio ashtu edhe në televizion. Me planin financiar që është dërguar në Parlament dhe në Qeveri, ka kaluar një aneks i veçantë i përgatitur nga ekspertë të brendshëm, ku si bartës jam unë, në të cilin parashihen mjete të veçanta, që të mund të bëhet punësimi i së paku 90 personave, prej të cilëve mbi 60 prej tyre do të jenë shqiptarë, në këtë mënyrë të funksionojmë normalisht 24 orë dhe të kemi program cilësor si në radio ashtu edhe në televizion”,- u shpreh zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTM-së, Harun Ibrahimi.

Ibrahimi pret që pas kalimit në Qeveri të kësaj faze të parë të ligjit, të pasojë edhe miratimi në Parlament i ndryshimeve ligjore që tri programet në gjuhën shqipe pranë Servisit Publik, por edhe kanalet e reja për etnitetet joshumicë, të fillojnë të funksionojnë në praktikë. / TVM2