Filloi debati për Propozim-buxhetin e plotësuar për vitin 2018


Deputetët sot në kuadër të seancës së 26-të e filluan debatin për Propozimin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2018.

Propozimi i plotësuar i buxhetit për vitin 2018 ishte në rend dite të caktuar javën e kaluar, por për shkaqe objektive seanca u ricaktua për sot. Në seancë, siç paralajmëroi, nuk do të marrë pjesë opozita.

Ministri i Financave Dragan Tevdovski në elaborim tha se Propozim-buxheti për vitin 2018 është refleks më i mirë i angazhimit të Qeverisë për arritje të qëllimeve kyçe dhe prioritetet e shoqërisë, shkallë më të larta të rritjes së ekonomisë, rritje të punësimit produktiv, ngritje të nivelit më të lartë të drejtësisë sociale dhe intensifikim të proceseve integruese për në BE dhe NATO.

Në Propozimin e plotësuar të buxhetit të cilin e dërgoi Qeveria, janë pranuar amendamentet nga debati i komisionit në Kuvendin e Maqedonisë dhe me to janë bërë rritje të mjeteve financiare për gazifikim në vlerë prej 120 milionë denarë, tek bllok dotacionet për kopshte, shkolla fillore dhe të mesme dhe institucione kulturore për 200 milionë denarë, tek Fondi për Shëndetësi për 100 milionë denarë dhe tek Inspektorati për mjedis jetësor për 10 milionë denarë.

Të ardhurat e përgjithshme në Buxhetin për vitin 2018 janë projektuar në 193,5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 211,7 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është projektuar në 18,2 miliardë denarë ose 2,7 për qind nga BPV-ja, gjegjësisht shënon ulje në krahasim me vitin e kaluar për 0,2 për qind pikë. Shkalla e inflacionit pritet të jetë në nivel prej 1,7 për qind. Në vitin 2018 nuk planifikohen ndryshime më të mëdha tatimore. Është planifikuar rritje e akcizës së naftës për tre denarë.